Tërmeti i fuqishëm në veri të Japonisë, shkakton cunami, 23 të plagosur

Tërmeti i fuqishëm në veri të Japonisë, shkakton cunami, 23 të plagosur

Bota December 08, 2025 - 23:20

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.5 goditi pjesën veriore të Japonisë të hënën mbrëma, duke plagosur më shumë se 20 persona dhe duke shkaktuar cunami deri në 70 centimetra në komunitetet e bregut të Paqësorit, thanë zyrtarët.

Qeveria japoneze ishte ende duke vlerësuar dëmet nga cunami dhe tërmeti i orëve të vona, i cili goditi rreth orës 23:15 (14:15 GMT) në Oqeanin Paqësor, rreth 80 kilometra larg bregut të Aomorit, prefektura më veriore e ishullit kryesor Honshu të Japonisë.

Një cunami prej 70 centimetrash u regjistrua në portin Kuji në prefekturën Iwate, në jug të Aomorit, dhe nivele deri në 50 centimetra goditën komunitete të tjera bregdetare në rajon, njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë.

Agjencia e Menaxhimit të Zjarrit dhe Fatkeqësive tha se 23 persona u plagosën, përfshirë një rëndë. Shumica e viktimave u goditën nga objekte që ranë, raportoi NHK, duke shtuar se disa persona u plagosën në një hotel në Hachinohe dhe një burrë në Tohoku u lëndua lehtë kur makina e tij ra në një gropë.

Kryeministrja Sanae Takaichi tha në një deklaratë të shkurtër për gazetarët se qeveria ka ngritur një grup emergjent për të vlerësuar dëmet sa më shpejt. “Ne po e vëmë jetën e njerëzve të parën dhe po bëjmë gjithçka që mundemi,” tha ajo.

Më vonë, ajo u kërkoi banorëve të zonës që të ndjekin me kujdes informacionet më të fundit nga autoritetet lokale. “Ju lutem jini të përgatitur që të evakuoni menjëherë sapo të ndjeni një lëkundje.”

Agjencia meteorologjike tha se tërmeti goditi rreth 80 kilometra verilindje të Hachinohe dhe rreth 50 kilometra nën sipërfaqen e detit.

Ishte pikërisht në veri të zonës së Japonisë që u godit nga tërmeti 9.0 dhe cunami i vitit 2011, ku u vranë thuajse 20 mijë persona dhe u shkatërrua centrali bërthamor Fukushima Daiichi./rtk