Shembet pjesërisht një kullë pranë Koloseut, katër persona të lënduar
Një kullë mesjetare që po i nënshtrohej punimeve të rikonstruksionit në qendër të Romës, pranë Koloseut, u shemb pjesërisht këtë të hënë.
Bëhet e ditur se fillimisht kanë rënë disa tulla, e më pas ndodhi shembja e pjesshme, duke krijuar pluhur të madh.
Nga incidenti, një punëtor po merr trajtim mjekësor pasi ka pësuar lëndime në kokë, ndërsa një tjetër ka mbetur i bllokuar nën rrënoja.
Dy punëtorë të tjerë u plagosën lehtë, por refuzuan të transportoheshin në spital.
Autoritetet kanë mbyllur qarkullimin në zonë për të lehtësuar operacionet e shpëtimit, të cilat po vazhdojnë me ndihmën e zjarrfikësve dhe automjeteve speciale.
Një pronar lokali në Via del Colosseo, i cili ndodhej jashtë dyqanit të tij në momentin e ngjarjes, tha se dëgjoi një zhurmë të fortë rreth orës 11:20 dhe më pas pa një re pluhuri që ngrihej, derisa një pjesë e kullës shembej.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e shembjes, ndërkaq Prokuroria Publike e Romës ka hapur një hetim për këtë incident.