Nëntë të lënduar rëndë, Policia arreston dy britanikë për sulmin me thikë në tren në Angli
Foto: Reuters

Nëntë të lënduar rëndë, Policia arreston dy britanikë për sulmin me thikë në tren në Angli

Bota November 02, 2025 - 12:39

Policia britanike tha të dielën se sulmi me thikë në një tren për në Londër nuk po trajtohet si incident terrorist dhe se dy burra britanikë janë arrestuar nën dyshimin për tentim vrasjeje.

Dhjetë njerëz u plagosën në sulmin në trenin që po udhëtonte midis Donkasterit, një qytet në verilindje të Anglisë, dhe Londrës - një linjë zakonisht e ngarkuar - mbrëmjen e së shtunës.

Oficeri John Loveless tha se nga nëntë njerëzit që u trajtuan për lëndime të rënda të shtunën, katër janë lëshuar nga spitali, ndërsa dy të tjerë mbeten në gjendje kritike.

“Njësia kundër terrorizmit fillimisht po mbështeste hetimin tonë. Megjithatë, në këtë fazë, nuk ka asgjë që të sugjerojë se bëhet fjalë për incident terrorist”, tha Loveless në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se personat e arrestuar janë një 32-vjeçar shtetas britanik me origjinë afrikane dhe një 35-vjeçar shtetas britanik me origjinë nga Karaibet.

Dëshmitarët në tren përshkruan skena kaosi dhe tmerri, teksa një sulmues me një thikë të madhe qëllonte udhëtarët.

Motivi i këtij sulmi me thikë nuk dihet ende.

Policia dhe Qeveria u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos spekulojnë për autorët apo arsyet e sulmit.

Ministri i Mbrojtjes John Healey tha të dielën se vlerësimi fillestar është se incidenti ishte “sulm i izoluar”.

“Pra, nuk ka arsye që pjesa tjetër e nesh të mos vazhdojmë jetën normale, të udhëtojmë atje ku kemi nevojë”, tha Healey për Sky News.

Kryeministri Keir Starmer e quajti ngjarjen “të tmerrshme” dhe “thellësisht shqetësuese”.

Krimet me thikë në Angli dhe Uells janë rritur që nga viti 2011, sipas të dhënave zyrtare qeveritare.

Derisa Britania ka disa nga ligjet më të rrepta për armët në botë, vala e dhunës me thika është quajtur “krizë kombëtare” nga Starmer.

Qeveria e tij laburiste ka bërë përpjekje për t’i frenuar ato.

Gati 60.000 thika janë “konfiskuar ose dorëzuar” në Angli dhe Uells, si pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për të përgjysmuar krimet me thikë brenda një dekade, tha Ministria e Brendshme të mërkurën.

Një sërë sulmesh të tjera të profilit të lartë kanë tronditur vendin gjatë vitit të fundit, përfshirë vrasjen e tri vajzave në një klasë vallëzimi në Southport në korrik 2024 - një nga sulmet më të rënda me thikë në vite. /REL