
Irani konfirmon dëbimin e 120 shtetasve iranianë nga SHBA-ja
Irani ka njoftuar të martën se rreth 120 shtetas të tij do të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara dhe do të kthehen në atdhe këtë javë.
Hossein Nushabadi, drejtor i përgjithshëm për Çështjet Parlamentare dhe Konsullore në Ministrinë e Jashtme të Iranit, i tha agjencisë së lajmeve Tasnim se ky grup është pjesë e një plani më të gjerë të autoriteteve amerikane të emigracionit për t’i dëbuar rreth 400 iranianë, shumica e të cilëve kanë hyrë jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara, kryesisht përmes Meksikës.
Ai tha se disa nga personat që po dëbohen kishin leje të vlefshme qëndrimi në SHBA, por megjithatë u përfshinë në listën e dëbimit, pasi ishte marrë pëlqimi i tyre për riatdhesim.
Konfirmimi vjen pasi gazeta amerikane New York Times, duke cituar zyrtarë anonimë në Teheran, raportoi se një avion me rreth 100 iranianë u nis nga Luiziana natën e 29 shtatorit dhe pritej të mbërrinte në Iran përmes Katarit të nesërmen.
Megjithëse rrethanat e largimit fillestar nga Irani dhe mbërritjes së tyre në SHBA ndryshojnë, Nushabadi tha se ata janë larguar nga vendi ligjërisht dhe se Irani i “mirëpret” ata, duke premtuar mbështetje të plotë konsullore për kthimin e tyre.
Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë kritikuar politikën e SHBA-së për dëbimin e emigrantëve drejt vendeve me bilanc problematik të të drejtave të njeriut.
Gjendja e të drejtave të njeriut në Iran mbetet e rëndë, pasi vazhdon përndjekja e madhe e kundërshtarëve politikë, aktivistëve, pakicave fetare dhe individëve LGBTQ.
Kritikët thonë se fushata e dëbimeve e administratës amerikane rrezikon emigrantët e cenueshëm duke i kthyer ata në këto kushte të vështira.
Në vitet e fundit, shumë iranianë i janë bashkuar grupeve të mëdha emigrantësh në kufirin jugor të SHBA-së, duke kaluar jashtëligjshëm dhe më pas duke kërkuar azil.
Shumë prej tyre kanë cituar përndjekjet nga republika islamike për shkak të bindjeve politike apo fetare si arsyen kryesore për ikjen e tyre.
Megjithatë, shumica e kërkesave për azil u refuzuan ose mbetën të paprocesuara deri në momentin e dëbimit. /REL