
Franca thërret ambasadorin rus për incidentin me dronët në Poloni
Ambasadori rus në Francë është thirrur sot në Ministrinë e Jashtme lidhur me çështjen e depërtimit të mjeteve ajrore pa pilot (dronë) në Poloni, njoftoi Ministri i Jashtëm francez në largim, Jean-Noel Barrot , në një veprim që u bë edhe nga vende të tjera evropiane.
“Ai u thirr këtë mëngjes. Ne do t’i themi se nuk do të lejojmë veten të frikësohemi”, vuri në dukje Jean-Noel Barrot në deklaratat që bëri për radiostacionin francez France Inter.
“Qoftë e qëllimshme apo jo, qoftë aksidentale apo jo, e gjithë kjo është shumë serioze. E gjithë kjo është absolutisht e papranueshme. E gjithë kjo vjen për shkak të provokimeve të panumërta të Vladimir Putin”, shtoi kreu i diplomacisë franceze në largim, duke iu referuar presidentit rus.
Polonia, Suedia, Holanda, Republika Çeke, Rumania, Belgjika dhe Spanja kanë thirrur gjithashtu ambasadorët rusë ose të ngarkuarit me punë të misioneve diplomatike ruse në ministritë e tyre të jashtme në ditët e fundit lidhur me këtë çështje.
Këto ndërhyrje nuk janë asgjë e re, tha ministri i jashtëm francez në largim. “Është një strategji e qëllimshme nga Rusia për të na frikësuar, për të na vënë në provë”, tha ai.
Përveç dënimit, Barrot vuri në dukje se Franca “tregoi menjëherë gatishmërinë e saj për të kontribuar edhe më shumë në forcimin e mbrojtjes së asaj që ne e quajmë krahu lindor i NATO-s, domethënë Evropa Lindore”.
Prandaj, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi dje, të enjten në mbrëmje, se Franca do të vendoste tre avionë luftarakë Rafale.
Këta do të kenë ” misionin e identifikimit dhe, nëse është e nevojshme, shkatërrimit të transportuesve të dronëve që do të kërcënonin territorin polak. Vende të tjera do të ndjekin”, shtoi ai.
I pyetur në lidhje me kritikat e Kievit për mungesën e reagimeve specifike nga evropianët, Jean-Noel Barrot u përgjigj se avionët holandezë dhe italianë qëlluan dronë rusë “në një thellësi prej disa dhjetëra kilometrash në territorin polak”. “Ky është një reagim shumë i fortë”, komentoi ai. /abcnews