Kim Jong Un premton mbështetje të plotë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës

Kim Jong Un premton mbështetje të plotë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës

Bota September 04, 2025 - 17:59

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se shteti i tij e “mbështet plotësisht” ushtrinë e Rusisë, si një “detyrim vëllazëror”, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, tha se dy shtetet kanë raporte “speciale”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve të Phenianit, KCNA, më 4 shtator.

Kim dhe Putin u takuan të mërkurën në margjinat e festimeve në Kinë që u organizuan për të shënuar dorëzimin e Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy udhëheqësit u ftuan nga presidenti kinez, Xi Jinping, për të marrë pjesë në një paradë masive ushtarake. Kjo ishte hera e parë që udhëheqësit e tri shteteve morrën pjesë në një ngjarje të tillë që nga Lufta e Ftohtë.

“Shoku Kim Jong Un dhe presidenti Putin shkëmbyen opinione të hapura mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale”, raportoi KCNA-ja.

Putin “çmoi lart” ushtarët e Koresë së Veriut që po luftojnë kundër Ukrainës dhe tha se dy shtetet kanë raporte “të posaçme të besimit, miqësisë dhe aleancës”, tha KCNA-ja.

Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë, municione për artileri dhe raketa në Rusi për të mbështetur Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës.