
Ukraina rikthen pavarësinë e agjencive kundër korrupsionit
Turma protestuesish janë parë duke brohoritur me gëzim të enjten në Kiev, teksa e kanë shikuar një ekran të madh, në të cilin është konfirmuar që Parlamenti ukrainas e ka miratuar legjislacionin e ri për rikthim të pavarësisë së agjencive kundër-korrupsionit.
Legjislacioni është miratuar me 331 vota për dhe asnjë kundër.
Vendimi është marrë pasi një ligj – që dyshohej se do të mund t’i kufizonte hetimet për korrupsion – është miratuar një javë më parë, dhe i ka nxitur protestat më të mëdha prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, mbi tre vjet më parë.
Ligji i ri e rikthen pavarësinë e Byrosë Kombëtare të Ukrainës kundër-Korrupsionit dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rastet e korrupsionit.
Ligji duhet të miratohet nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për të hyrë në fuqi.
Zelensky, i cili e ka nënshkruar legjislacionin origjinal më 22 korrik, ka thënë se qëllimi i ligjit ka qenë që agjencitë të çlirohen nga ndikimi rus, që i ka bërë të cenueshme ndaj korrupsionit për kohë të gjatë.
Mirëpo limitet në pavarësinë e tyre i kanë zemëruar shumë ukrainas – sidomos të rinjtë – të cilët menjëherë kanë organizuar protesta, pavarësisht se raketat dhe dronët rusë kanë vazhduar të shënjestrojnë Kievin dhe qytetet tjera.
“Njerëzit nuk e kanë pritur që të rinjtë do të dalin kaq shumë”, ka thënë Anastasia Bezpalko, njëra prej qindra personave që kanë dalë në rrugë gjatë javës së fundit.
“Të rinjtë e kanë kuptuar se dikush ka tentuar t’i mashtrojë, dhe prandaj është nxitur kjo ndjesi e theksuar e padrejtësisë”, ka thënë 23-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.
Zelensky ka propozuar që ligji i ri të prezantohet më 31 korrik, duke thënë se e ka dëgjuar zërin e popullit dhe që dokumenti i ri do t’i adresojë shqetësimet për ndikim rus, por nuk do ta rrezikojë pavarësinë e këtyre agjencive.
Ndihmësi i Zelenskyt, Andriy Yermak e ka mirëpritur votimin.
“E kemi një shoqëri civile të mrekullueshme, rini të mrekullueshme, të cilën e dëgjoi presidenti Zelenesky. Ky ishte një dialog i shpejtë në mes të autoriteteve dhe shoqërisë”, ka thënë ai në rrjete sociale.
Kryeministrja e sapoemëruar, Yulia Svyrdydenko ka thënë se “kjo është përgjigje direkte dhe e përgjegjshme ndaj pritjeve të shoqërisë ukrainase dhe partnerëve tanë evropianë”.
Korrupsioni i shtrirë thellë në Ukrainë e ka penguar mbështetjen për Kievin në disa qarqe perëndimore.
Protestat janë zhvilluar teksa Ukraina i ka sytë drejt Shteteve të Bashkuara dhe aleatë tjerë perëndimorë për t’i bërë presion Rusisë që të angazhohet në bisedimet për paqe dhe t’i japë fund luftës së nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.