Trumpi ndërpret fondet për Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë

Trumpi ndërpret fondet për Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë

Bota March 16, 2025 - 14:19

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndërprerë fondet për Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa dje i gjithë stafi i Zërit të Amerikës u dërgua në shtëpi.

Bëhet e ditur se të premten mbrëma, pak pasi Kongresi miratoi projektligjin e fundit të financimit, Trump udhëzoi administratën e tij që të reduktojë funksionet e disa agjencive në minimumin e kërkuar me ligj.

Këto përfshinin Agjencinë Globale të Medias të SHBA-së, të cilës i raportojnë edhe Zëri i Amerikës edhe Radio Evropa e Lirë.

Carey Lake, guvernator dhe kandidat për Senatin Amerikan nga Arizona, të cilin Trump e emëroi si këshilltar të lartë të agjencisë, e përshkroi Agjencinë Globale të Medias të SHBA si “agjencia më e korruptuar në Uashington DC”.

Lake publikoi një video ku flet për masat për uljen e kostove, por nuk përmend stafin apo misionin e Zërit të Amerikës.

Videoja është filmuar në një ndërtesë të dhënë me qira nga Zëri i Amerikës, të cilën Lake e quajti humbje parash.

Ajo tha se do të përpiqet të ndërpresë qiranë 15-vjeçare të agjencisë për ndërtesën, shkruan EuroNews, përcjell Telegrafi.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të anuluar kontratat që mund të anulohen, për të kursyer para, për të zvogëluar stafin dhe për të siguruar që dollarët tuaj të mos keqpërdoren”, tha ajo.

Raportohet se letra vendos punonjësit në leje administrative dhe thotë se ata do të vazhdojnë të marrin paga dhe përfitime “derisa të njoftohen për ndryshime”.

Dhe udhëzon ata që të mos përdorin objektet e Agjencisë Globale të Medias dhe të kthejnë pajisje të tilla si telefonat dhe kompjuterët.

“Një dhuratë për armiqtë e Amerikës”

“Për herë të parë në 83 vjet, Zëri i famshëm i Amerikës ka heshtur”, tha drejtori i organizatës Michael Abramowitz në një deklaratë.

Ai shtoi se praktikisht i gjithë stafi prej 1300 personash është dërguar në pushim.

“Zëri i Amerikës promovon lirinë dhe demokracinë në mbarë botën duke treguar historinë e Amerikës dhe duke ofruar lajme dhe informacione objektive dhe të balancuara, veçanërisht për ata që jetojnë nën tirani”, tha Abramowitz.

Agjencia Globale e Medias e SHBA-së ka dërguar gjithashtu njoftime për përfundimin e granteve për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo do të jetë një dhuratë e madhe për armiqtë e Amerikës”, tha në një deklaratë presidenti dhe CEO i rrjetit, Stephen Capus.

Ndryshe, së bashku, rrjetet arrijnë rreth 427 milionë njerëz.

Ato datojnë që nga Lufta e Ftohtë dhe janë pjesë e një rrjeti organizatash të financuara nga qeveria që përpiqen të zgjerojnë ndikimin e SHBA-së dhe të luftojnë autoritarizmin.