Trumpi befason me përgjigjen teksa pyetet nëse mendon ende se Zelensky është një “diktator”
Foto: AFP

Trumpi befason me përgjigjen teksa pyetet nëse mendon ende se Zelensky është një “diktator”

Bota February 27, 2025 - 19:56
“Unë e kam thanë këtë?”: Trumpi habit pas deklaratës kur e quajti Zelenskyin “diktator”

Presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi reagime të ashpra duke e quajtur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një “diktator”.

Megjithatë, kur u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale, ku ishte bashkë me kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer, për ta përsëritur deklaratën, ai “u tërhoq” duke thënë: “A thashë unë këtë? Nuk mund ta besoj që e kam thënë”.

Veç kësaj, gjatë deklarimeve aty, Trump tha se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e NATO-s dhe se përparësia e tij kryesore është ndalimi i luftës, përcjell Telegrafi.

Ai u shpreh optimist për një marrëveshje paqeje, duke theksuar se Rusia ka vepruar “shumë mirë” në bisedimet e fundit dhe se ka besim që një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin do të arrihet.

Ndërkohë, Starmer theksoi rëndësinë e një sigurie të qëndrueshme për Ukrainën dhe theksoi se çdo marrëveshje paqeje nuk duhet të shkelet nga Rusia.

Sa i përket një marrëveshjeje të re për mineralet e rralla që pritet të nënshkruhet me Zelenskyn, Trump e cilësoi atë si një “garanci” për Ukrainën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në këtë sektor.

“Presidenti Zelensky do të vijë të më takojë të premten në mëngjes. Dhe ne do të nënshkruajmë një marrëveshje vërtet shumë të rëndësishme për të dyja palët, sepse me të vërtetë do të na çojë në atë vend, duke punuar atje”.