Kushtetuesja anulon zgjedhjet presidenciale në Rumani, pas akuzave për ndërhyrje ruse
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka marrë vendim që zgjedhjet presidenciale, balotazhi i të cilave pritej të mbahej këtë fundjavë, të shfuqizohen tërësisht dhe të mbahen zgjedhje të reja.
Kushtetuesja e mori këtë vendim të premten, duke thënë se Qeveria duhet të vendosë tani për datën e zgjedhjeve të reja presidenciale.
Kandidati prorus i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, tronditi duke e fituar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Por, kishte dëshmi se një fushatë e madhe kibernetike, e orkestruar nga Moska, në TikTok në favorit të Georgescut nuk u vërejt nga autoritetet rumune.
Georgescu pritej të përballej në balotazh me kandidaten proevropiane të qendrës, Elena Lasconi, të dielën e 8 dhjetorit.
Votimi kishte filluar në diasporë në balotazhin presidenciale të Rumanisë, i cili shihej si referendum për të ardhmen e vendit në NATO dhe në Bashkim Evropian, për shkak se ka pasur shumë akuza se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.
Dyshimet për ndërhyrjen ruse sollën mijëra rumunë nëpër rrugët e vendit për të protestuar në përkrahje të anëtarësimit të vendit në bashkësinë euroatlantike.
Autoritetet rumune kishin vendosur t’i jepnin diasporës së madhe dy ditë e gjysmë për të votuar, për t’i shmangur pritjet e gjata në misionet e jashtme diplomatike të vendit.
Georgescu dukej favorit për ta fituar balotazhin, por në sondazhet më të fundit Lasconi e kaloi atë, pasi Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) publikoi të mërkurën dokumente të klasifikuara, duke zbuluar se vendi ishte në shënjestër të një “veprimi agresor hibrid nga Rusia”, që çoi drejt fitores befasuese të kandidatit prorus.
Lasconi, ish-prezantuese televizive dhe kryetare e qytetit të vogël Kampulung, kishte një epërsi prej dy për qind ndaj Georgescut, sipas një sondazhi të publikuar të enjten nga AltasIntel.
Fitorja e Georgescut në rundin e parë ngjalli frikë dhe shkaktoi protesta, posaçërisht në mesin e rumunëve të rinj, për të ardhmen demokratike të vendit.
Të enjten, rreth 3.000 njerëz marshuan në Budapest duke kërkuar që Rumania të qëndrojë në rrugën e saj proevropiane. Ata më pas u mblodhën në sheshin e kryeqytetit, ku brohoritën “Liri” dhe “Evropë”. /REL