Rusia gjobit kompaninë “Google” me 20 decilionë dollarë
Rusia po kërkon një shumë të paimagjinueshme parash nga një prej kompanive më të mëdha teknologjike në botë.
Google i detyrohet Kremlinit mbi 2 undecilionë rubla pasi ka refuzuar të paguajë gjobat për bllokimin e kanaleve pro-ruse në YouTube. Sipas llogaritjeve, kjo gjobë shkon në rreth 20 decilionë dollarë, një shumë që tejkalon vlerën e ekonomisë globale. Nëse nuk e kuptoni çfarë numri është, po jua shkruajmë: 20,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000.
Për krahasim, prodhimi i brendshëm bruto global arrin në rreth 110 trilionë dollarë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa kompania mëmë e Google, Alphabet, ka një vlerë tregu prej 2 trilionë dollarë.
Agjencia ruse TASS raportoi këtë javë se një gjykatë ruse ka urdhëruar Google të rikthejë kanalet e bllokuara në YouTube ose do të përballet me gjoba që do të vazhdojnë të rriten. Nëse gjoba nuk paguhet brenda nëntë muajve, ajo do të dyfishohet çdo ditë.
Google ka deklaruar se këto çështje ligjore nuk pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në të ardhurat e saj.