Biden: Marrëveshja me Rusinë për shkëmbimin e të burgosurve, vepër e diplomacisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se marrëveshja Perëndim-Rusi për shkëmbimin e të burgosurve është vepër e diplomacisë. Në një adresim për media pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Bideni ka thënë se agonia e këtyre të burgosurve ka marrë fund.
“Marrëveshja që siguroi lirinë e tyre ishte një vepër e diplomacisë. Gjithsesi, ne kemi negociuar lirimin e 16 personave nga Rusia—duke përfshirë pesë gjermanë dhe shtatë shtetas rusë që ishin të burgosur politikë në vendin e tyre. Disa nga këta gra dhe burra janë mbajtur padrejtësisht për vite me radhë. Të gjithë kanë duruar vuajtje të paimagjinueshme dhe agonia e tyre sot ka marrë fund”, ka thënë Bideni.
Ai ka thënë se amerikanët Evan Gershkovich, Paul Whelan, Alsu Kurmasheva dhe Vladimir Kara-Murza “më në fund po kthehen në shtëpi”.
Reporteri i “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili është në mesin e të liruarve nga Rusia, ka ateruar nga Rusia në Turqi. Ky shkëmbim i të burgosurve po konsiderohet si më i madhi që nga Lufta e Ftohtë.
Gjatë adresimit të tij për media pas lirimit të të burgosurve nga Rusia, presidenti amerikan, Joe Biden është pyetur se çfarë do t’i thoshte ish-presidentit Donald Trump, i cili pati thënë se është në gjendje të negocionte lirimin e tyre.
“Pse nuk e bëri kur ishte president?”, u përgjigj Bideni duke u larguar nga salla ku po mbahej konferenca.
Para gazetarëve, Bideni tha se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë për lirimin e të gjithë amerikanëve të ndaluar gabimisht në mbarë botën. Ai shtoi se familjet e të burgosurve që janë liruar sot nuk kanë hequr dorë kurrë nga shpresa. /abcnews