Majtistja Claudia Sheinbaum zgjidhet presidente e Meksikës

Majtistja Claudia Sheinbaum zgjidhet presidente e Meksikës

Bota June 03, 2024 - 23:38

Claudia Sheinbaum, shkencëtare për klimën dhe kolege e afërt e presidentit popullor në largim, Andres Manuel Lopez Obrador, i fitoi një shumicë dërrmuese votash zgjedhjet, duke u bërë presidentja e parë grua e Meksikës. Fitorja e saj shkaktoi rënie të tregjeve finanicare.

Ish-kryebashkiakja e kryeqytetit të Meksikës, 61-vjeçarja Sheinbaum, fitoi përqindjen më të lartë të votave në historinë e demokracisë së Meksikës, sipas rezultateve paraprake të shpallura nga autoriteti zgjedhor i vendit. Ajo siguroi 58.8% të votave pas numërimit të 82% e votave të hedhura në zgjedhjet e së dielës.

Në fjalimin e saj të fitores mbrëmjen e së dielës, zonja Sheinbaum, e cila ishte pjesë e një paneli shkencëtarësh të Kombeve të Bashkuara për klimën që mori çmimin Nobel për Paqen në vitin 2007, e falënderoi pararendësin e saj, Lopez Obrador, duke e quajtur atë “një njeri të jashtëzakonshëm, unik që e ka transformuar Meksikën për më mirë”.

Fitorja shihet si një hap i madh për Meksikën, një vend i njohur për kulturën e tij dominimit të burrave dhe vendi i dytë në botë me popullsinë më të madhe katolike. Ajo është gruaja e parë që fiton zgjedhjet e përgjithshme në Amerikën e Veriut, rajon që përfshin Shtetet e Bashkuara, Meksikën dhe Kanadanë.

Por fitorja e partisë së saj ishte aq e madhe sa tregjet pësuan rënie për shkak të shqetësimit se koalicioni u saj qeverisës mund të siguronte një shumicë absolute në Kongres, çka nënkupton miratimin pa pengesa të reformave të debatueshme kushtetuese.

Presidenti Joe Biden e uroi zonjën Sheinbaum për fitoren e “zgjedhjeve historike”.

Ndër sfidat për presidenten e re do të jenë edhe negociatat e tensionuara me Shtetet e Bashkuara lidhur me fluksin e madh të emigrantëve, që përmes Meksikës kalojnë në territorin amerikan. Një tjetër sfidë pritet të jetë edhe bashkëpunimi në luftën kundër trafikut të drogës në një kohë kur epidemia e fentanilit në Shtetet e Bashkuara ka arritur shifra të larta.

Zyrtarët meksikanë presin që këto negociata të jenë edhe më të vështira nëse republikani Donald Trump do të fitonte zgjedhjet presidenciale në nëntor. Zoti Trump është zotuar të vendosë tarifa 100% për makinat kineze të prodhuara në Meksikë dhe ka thënë se do të mobilizojë forcat speciale për të luftuar kartelet e drogës.

Ish-kryebashkiakja kandidoi nën siglën e partisë Morena, me premtimet për të çuar më tej politikat e Presidentit Andrés Manuel López Obrador.

Në një vend me afro 100 milionë katolikë, zonja Sheinbaum do të jetë gjithashtu presidentja e parë në historinë e Meksikës me prejardhje hebraike.

Zonja Sheinbaum i detyrohet presidentit në largim, Andrés Manuel López Obrador, për një pjesë të madhe të popullaritetit të saj. Zoti Obrador, i cili i përket vijës së majtë sikurse edhe presidentja e zgjedhur, ka qenë mentor i saj dhe 60 për qind e popullsisë mbështet punën e tij.

Disa orë përpara hapjes së qendrave të votimit të dielën, një kandidat lokal u vra në një shtet të Meksikës, thanë autoritetet, një nga të paktën 25 kandidatët e tjerë politikë të vrarë gjatë fushatës aktuale, sipas të dhënave zyrtare.

Më shumë se 450,000 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë zhdukur që nga viti 2006, kur qeveria angazhoi ushtrinë për të luftuar trafikun e drogës.

Zonja Sheinbaum është zotuar të vazhdojë strategjinë e debatueshme të Presidentit López Obrador “përqafime jo plumba” të luftës kundër themeleve të krimit. /VOA