Polonia miraton rezolutën kundër emigrimit të paligjshëm
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki tha të martën se qeveria ka miratuar një rezolutë për emigrantët e paligjshëm. Rezoluta lidhet me krizën e emigrantëve në ishullin italian të Lampedusa dhe propozimet në lidhje me politikën e imigracionit të paraqitura nga BE në përgjigje të fluksit masiv të emigrantëve.
Në një deklaratë pas takimit, kryeministri theksoi se përmes rezolutës së miratuar, qeveria nuk jep pëlqimin për imigracionin ilegal, raportojnë mediat polake.
“Ne gjithashtu duam të dërgojmë një sinjal të qartë, sepse Lampedusa shërben si një paralajmërim. E gjithë Evropa, e gjithë BE-ja mund të duket si Lampedusa nëse vazhdojmë në të njëjtën rrugë, bëjmë të njëjtat gabime dhe zbatojmë të njëjtat mekanizma të propozuar nga Komisioni Evropian”, tha ai.
Sipas tij, BE-ja nuk mësoi nga gabimet e mëparshme dhe u kthye në të njëjtat mekanizma që u refuzuan plotësisht në mbledhjen e Këshillit Evropian në qershor 2018.
“Ju kujtoj se Këshilli Evropian hodhi poshtë mekanizmin e zhvendosjes së detyruar dhe çdo kompensim për mospranimin e emigrantëve të paligjshëm. Tani Komisioni Evropian po i kthehet atij,” përfundoi ai. /abcnews