Ish-shefi i Mossad pretendon se Izraeli po kryen aparteid në Bregun Perëndimor

Ish-shefi i Mossad pretendon se Izraeli po kryen aparteid në Bregun Perëndimor

Bota September 06, 2023 - 19:53

Ish-kreu i shërbimit të inteligjencës izraelite Mossad, Tamir Pardo, tha sot se Izraeli po zbaton një sistem aparteidi në Bregun Perëndimor.

Kështu ai iu bashkua një grupi të vogël, por në rritje zyrtarësh në pension, të cilët kanë arritur në përfundimin se trajtimi i Izraelit ndaj palestinezëve kufizohet me aparteidin, një aludim për sistemin e ndarjes racore në Afrikën e Jugut që përfundoi në vitin 1994.

Organizatat kryesore të të drejtave të njeriut në Izrael dhe jashtë saj si dhe palestinezët kanë akuzuar shtetin hebre dhe pushtimin 56-vjeçar të Bregut Perëndimor nga Izraeli për kthimin në një sistem aparteidi që u jep palestinezëve status të klasit të dytë dhe synon të ruajë hegjemoninë hebreje nga lumi Jordan në Deti Mesdhe.

Disa ish-liderë izraelitë, diplomatë dhe zyrtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se Izraeli rrezikon të bëhet një shtet aparteidi, por deklarata e Pardo është edhe më e prerë.

“Ka një shtet aparteid. Në një territor ku dy sisteme juridike zbatohen për dy popuj, është një shtet aparteid”, tha Pardo.

Pardo, i cili ishte kreu i Mossadit nga viti 2011 deri në vitin 2016, nuk tha se mendonte të njëjtën gjë kur ishte në detyrë, raporton ap.

Ai gjithashtu deklaroi se palestinezët janë një nga çështjet më të rëndësishme në Izrael dhe se ata janë më të rëndësishëm se programi bërthamor iranian, të cilin kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e sheh si një kërcënim ekzistencial.

Pardo tha se si kreu i Mossadit, ai vazhdimisht e paralajmëroi Netanyahun se duhet të vendosë se cilët janë kufijtë e Izraelit ose të rrezikojë shkatërrimin e shtetit për hebrenjtë.