Nxirret gjallë një vajzë e vogël në Turqi pas 178 orëve nën rrënoja [video]

Nxirret gjallë një vajzë e vogël në Turqi pas 178 orëve nën rrënoja [video]

Bota February 13, 2023 - 17:01

Një vajzë e vogël është nxjerrë gjallë nga rrënojat e një ndërtese në jug të Turqisë, më tepër se një javë pas tërmetit shkatërrimtar që tronditi Turqinë e Sirinë, raporton BBC.

Miray, ishte ngujuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur për afro 178 orë.

Në video shihen forcat e kërkim-shpëtimit duke bërtitur “Zoti është i madhërishëm”, ndërsa nxirret vajza e vogël. Po të hënën, një grua është shpëtuar pas 175 orëve qëndrimi nën rrënoja.

Numri i të vdekurve në Turqi e Siri si pasojë e tërmetit ka shkuar në mbi 37 mijë.

Numri total i të vdekurve pritet të jetë dukshëm më i lartë. Parashikimet janë që të jetë dyfishë më e madhe shifra.

Miray – vajza e shpëtuar të hënën në qytetin Adiyaman – u bart me lese ndërsa gjendja e saj është stabile. Mediumet lokale raportojnë se forcat e shpëtimit janë afër ta gjejnë motrën e saj më të madhe.

Në Hatay, një grua me emrin Naide Umay, është shpëtuar pas 175 orëve nën rrënoja, dhe është dërguar në spital.

Vazhdon ngritja e pyetjeve nëse ndikimi i tërmetit është bërë më i rëndë nga dështimi njerëzor.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pranuar se ka pasur mungesa në reagim, mirëpo gjatë një vizite në zonat e katastrofës javën e kaluar, ai duket se fajin ia ka lënë fatit të keq.

Zyrtarët kanë njoftuar se janë lëshuar 113 urdhërarreste në lidhje me ndërtimin e ndërtesave që janë shembur, ndërsa 12 persona janë marrë në paraburgim, përfshirë kontraktues.