UNICEF: Mijëra fëmijë mund të jenë vrarë nga tërmetet në Turqi dhe Siri

UNICEF: Mijëra fëmijë mund të jenë vrarë nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Bota February 07, 2023 - 12:25

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) tha se tërmetet dhe goditjet pasuese, që shkatërruan mijëra ndërtesa në Turqi dhe Siri, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë.

“Tërmetet që goditën jugun e Turqisë dhe veriun e Sirisë mëngjesin e ditës së djeshme mund të kenë vrarë mijëra fëmijë”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.

Ai shtoi se kjo agjenci e OKB-së nuk ka mundur të saktësojë numrin e fëmijëve të vrarë.

Në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit Turqia dhe Siria u goditën nga një tërmet prej 7.8 ballësh. Më vonë gjatë së hënës edhe një tërmet i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit goditi Turqinë.

Dy tërmetet e fuqishme dhe qindra goditje të tjera pasuese shkaktuan mbi 5.000 viktima në dy shtetet. Po ashtu, mijëra persona konsiderohen të zhdukur, pas shembjes së shumë ndërtesave.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, përderisa dhjetëra vende në mbarë botën kanë ofruar ndihmë për të gjetur të mbijetuar të tjerë. /Rel