Raketa ruse mbi Kiev pas vendimit të Gjermanisë për tanket “Leopard 2”

Raketa ruse mbi Kiev pas vendimit të Gjermanisë për tanket “Leopard 2”

Bota January 26, 2023 - 16:46

Këto raketa mbi Kiev ishin kundërpërgjigjja e Moskës pas vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë për të furnizuar Ukrainën me tanke.

Një civil u vra dhe 2 të tjerë u plagosën nga raketat e rëna mbi kryeqytetin ukrainas, siç thanë autoritetet lokale. Gjysma e 30 raketave ruse të hedhura drejt Ukrainës këtë të Enjte kishin në shënjestër Kievin. Gjithsesi, mbrojtja kundërajrore ukrainase shkatërroi në ajër shumicën prej tyre. Kryeqytetasit gjetën strehë në stacionet e metrove.

Në reagimin për vendimin e Uashingtonit dhe Berlinit, Moska tha se furnizimi prej tyre i Ukrainës me tanke dëshmon përfshirjen e drejtpërdrejtë të perëndimit në këtë konflikt.

Kremlini tha se kjo nuk do të ndryshojë asgjë në planet e Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës. Madje siç thuhet në deklaratën e presidencës ruse, tanket perëndimore në Ukrainë i bëjnë të pamundura bisedimet e paqes.

Duke falenderuar aleatët për tanket, edhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski tha se bisedime me Moskën nuk do të ketë deri kur të largohen ushtarët ruse nga ky vend. /Tv Klan