Scholzi, gati të miratojë dërgimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë

Scholzi, gati të miratojë dërgimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë

Bota January 25, 2023 - 11:02

Pas javësh hezitimi, kancelari gjerman, Olaf Scholz, pritet të njoftojë të mërkurën se Qeveria e tij do të miratojë furnizimin me tanke luftarake të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Kancelari Scholz do të njoftojë dërgimin e tankeve "Leopard 2" në Ukrainë, më 25 janar gjatë një fjalimi në Parlament, i thanë Politico-s dy zyrtarë gjermanë.

Scholzi, gjithashtu, pritet të njoftojë se Gjermania do t'ua lejojë aleatëve të tjerë, si Polonia, t'i dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë, thanë burimet.

Vendimi i shumëpritur erdhi pasi zyrtarët amerikanë thanë se ishte arritur një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të dërgonin tanke M1 Abrams për të ndihmuar Kievin t'i zmbrapsë forcat ruse të vendosura në lindje të vendit.

Scholz kishte këmbëngulur se çdo lëvizje për t'i siguruar Ukrainës tanke të fuqishme Leopard 2 do të duhej të koordinohej ngushtë me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e Qeverisë së koalicionit trepartiak të Scholzit e mirëpritën lajmin përpara njoftimit zyrtar.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke "Leopard" do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë. /Rel