Dokumentet e sekuestruara në shtëpinë e Trumpit s’do të shqyrtohen nga një ekspert i pavarur ligjor

Dokumentet e sekuestruara në shtëpinë e Trumpit s’do të shqyrtohen nga një ekspert i pavarur ligjor

Bota December 02, 2022 - 07:54

Një gjykatë federale e apelit ka ndalur shqyrtimin nga një ekspert i pavarur ligjor të dokumenteve të sekuestruara nga prona e ish-presidentit Donald Trump në Florida, duke hequr një pengesë që Departamenti i Drejtësisë tha se kishte vonuar hetimin penal lidhur me ruajtjen e informacionit qeveritar tepër sekret.

Vendimi i një trupe prej tre gjyqtarësh është një fitore e rëndësishme për prokurorët federalë, duke u hapur rrugën atyre që të përdorin si pjesë të hetimit të tyre të gjitha dokumentet e sekuestruara gjatë një kontrolli të FBI-së në Mar-a-Lago më 8 gusht.

Gjykata hodhi poshtë argumentet e avokatëve të ish-presidentit Trump, të cilët kishin thënë se ish-presidenti kishte të drejtë që një i ashtuquajtur “ekspert i pavarur ligjor” të kryente një shqyrtim neutral të mijëra dokumenteve të marra nga prona e tij.

Në një kontroll të miratuar nga gjykata, agjentët e FBI-së sekuestruan në 8 gusht rreth 11,000 dokumente në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago, mes tyre rreth 100 të shënuara si të klasifikuara, kjo si pjesë e një hetimi penal mbi posedimin dhe mënyrën e trajtimit të dokumenteve qeveritare nga ana e ish-presidentit me përfundimin e mandatit të tij.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi muajin e kaluar prokuror të posaçëm, zotin Jack Smith, për të marrë përsipër këtë hetim, vetëm tre ditë pasi zoti Trump njoftoi se do të kandidonte për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. /VOA