Ekonomisti rus: Putini duhet të detyrohet të zgjedhë ose rrogat, ose luftën

Ekonomisti rus: Putini duhet të detyrohet të zgjedhë ose rrogat, ose luftën

Bota November 27, 2022 - 14:23

Kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke shkelur sovranitetin e një vendi fqinj, sanksionet ndërkombëtare janë parë si përgjigjja më e mirë edhe nga SHBA-ja, edhe nga aleatët e saj.

Presidenti amerikan, Joe Biden, nga dita e parë është zotuar se “agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje”. Në të kundërtën, pasojat do të ishin shumë më të këqija, ka thënë ai.

“Do të kufizojmë aftësitë e Rusisë për të bërë biznes në dollarë, euro, paund dhe jen. Do të kufizojmë aftësinë e saj për të qenë pjesë e ekonomisë globale. Do t’i frenojmë aftësitë për të financuar dhe rritur ushtrinë ruse”, ka thënë Biden më 24 shkurt.

Po atë ditë, Bashkimi Evropian ka miratuar një varg sanksionesh ekonomike kundër Rusisë, të cilat, siç ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, “do t’i ndërpresin Rusisë qasjen në tregjet më të rëndësishme të kapitalit”.Putin ka pranuar se ekonomia ruse do të përballet me vështirësi si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, por është zotuar se ajo do të rimëkëmbet dhe do të përshtatet shpejt me realitetin e ri.

“Nuk ka dyshim se realiteti i ri do të kërkojë ndryshime të thella strukturore në ekonominë tonë. Nuk do ta fsheh, nuk do të jetë e lehtë, do të ketë rritje të përkohshme të inflacionit dhe papunësisë. Në këtë situatë, detyra jonë është t’i minimizojmë rreziqet e tilla”, ka thënë Putin.Sanksionet e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera kundër Rusisë kanë shkuar vazhdimisht duke u rritur. Sot janë në fuqi një varg sosh - nga ndalimi i mallrave dhe shërbimeve ruse deri te bllokimi i transaksioneve të saj financiare. Dhjetëra kompani ndërkombëtare po ashtu kanë pezulluar tregtinë në Rusi, ose janë tërhequr fare. Nga disa media në SHBA, sanksionet janë cilësuar si më të rëndat dhe më të koordinuarat ndonjëherë nga Perëndimi.

Por, më shumë se nëntë muaj pas, Rusia vazhdon luftën në Ukrainë - në disa rajone edhe më brutalisht. Nga shtatori ka mobilizuar qindra mijëra ushtarë të rinj dhe ka shpallur aneksimin e paligjshëm të disa territoreve ukrainase. Monedha kombëtare ruse, rubla, pas një rënieje të mprehtë, është rikthyer në nivelet e paraluftës.

Nga pamjet që qarkullojnë në internet, situata me furnizime në Rusi duket po ashtu e mirë. Në raftet e dyqaneve ka edhe produkte perëndimore, të cilat thuhet se arrijnë nga vendet e treta.Atëherë, shtrohet pyetja: a kanë dështuar sanksionet, apo janë duke bërë punë? Maxim Mironov, profesor i financave në Shkollën e Biznesit në Madrid, përgjigjet për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Jo, ato nuk kanë dështuar, por definitivisht nuk janë të mjaftueshme. Në dy javët e para të luftës, Perëndimi ka ndërmarrë shumë sanksione. Rezervat e Bankës Qendrore Ruse janë ngrirë edhe në SHBA, edhe në BE. Në total, rreth 300 miliardë dollarë. Kjo ka qenë një goditje e madhe. Ka pasur shumë sanksione edhe në importe dhe Rusia është përballur me vështirësi në sigurimin e gjërave eseneciale”.

“Megjithatë, nuk ka pasur fare sanksione mbi burimin kryesor të të ardhurave për ekonominë ruse: mbi naftën dhe gazin”, thotë Mironov.

Lajmi i plotë:

https://www.evropaelire.org/a/pushtimi-i-ukraines-sanksionet-kunder-rusise/32149951.html