Rusia dënon me burgim një ish-marins amerikan

Rusia dënon me burgim një ish-marins amerikan

Bota October 04, 2022 - 18:29

Një gjykatë ruse në qytetin e Voronezhit, dënoi ish-marsin amerikan, Robert Gilman, me katër vjet e gjysmë burgim për sulmin ndaj një zyrtari policor në kohën kur kishte qenë i dehur.

Sipas mediave ruse, Gilman, 28-vjeç, planifikon që ta apelojë vendimin.

Policia kishte nxjerr nga një tren Gilmanin në janar të këtij viti, pas disa ankesave nga pasagjerët e tjerë lidhur me sjelljen e tij, tha Prokuroria.

Në kohën sa ishte në paraburgim, Gilman u akuzua se ka goditur një zyrtar policor duke i shkaktuar mavijosje.

“Ky person, që nuk u pajtua me veprimet ligjore që ndërmorën autoritetet, përdori dhunë ndaj një zyrtari policor që ishte në detyrë, duke e goditur disa herë”, tha Komiteti hetues përmes një njoftimi.

Gilman, që kishte shkuar në Rusi për të studiuar dhe ka pasaportë ruse, tha para gjykatës se atij nuk i kujtohet ky incident, por i kërkoi “falje Rusisë” dhe zyrtarit policor.

Rusia ka dënuar disa qytetarë amerikanë viteve të fundit. Basketbollistja Brittney Griner u dënua në gusht me nëntë vjet burgim, pasi iu gjet kanabis.

Paul Whelan, një tjetër ish-marsin amerikan, po vuan dënimin prej 16-vjetësh burgim nën akuza për spiunazh.

Ai ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Zyrtarët rusë thanë se janë në bisedime me Uashingtonin për mundësinë e këmbimit të të burgosurve. Mediat kanë raportuar se në këtë këmbim do të mund të përfshihej trafikuesi i dënuar i armëve, Viktor Bout, i cili po vuan një dënim prej 25-vjetësh burgim në Shtetet e Bashkuara.

Në prill, Rusia dhe SHBA-ja këmbyen Trevor Reed me një pilot rus, të dënuar për trafikim të drogës. Reed, po ashtu një ish-marsin amerikan, ishte dënuar me nëntë vjet burgim pasi supozohej se në kohën kur kishte qenë i dehur kishte sulmuar një zyrtar policor. /REL