Ukraina thotë se forcat ruse në Liman “janë rrethuar”

Ukraina thotë se forcat ruse në Liman “janë rrethuar”

Bota October 01, 2022 - 13:57

Forcat ukrainase kanë rrethuar trupat ruse në zonën e Limanit – që është qendra kryesore hekurudhore – tha më 1 tetor një zëdhënës i grupit lindor të forcave ukrainase.

“Grupi rus në Liman është rrethuar”, tha zëdhënësi Serhiy Cherevatiy. “Vendbanimet në Jampil, Novoselivka, Shandriholov, Drobishev dhe Stavki janë çliruar dhe po ndërmerren masa për stabilizimin e situatës", shtoi ai.

Cherevatiy vlerësoi se numri i trupave ruse që janë rrethuar është afër 5.000, dhe shtoi se forcat ruse po tentojnë që ta thyejnë rrethimin.

Luftimet e ashpra përreth Limanit, që gjendet në rajonin e Donjeckut, mund të paraqesin për Rusinë një humbje të madhe ushtarake në një prej rajoneve që Moska paligjshëm pretendon se është territor i saj.

Rusia nuk ka komentuar këto raportime.

Moska ka përdorur Limanin si qendër logjistike për operacionet e saj në pjesën veriore të rajonit të Donjeckut. Nëse Kievi arrin të rimarrë këtë qytet, atëherë do të ishte humbja më e madhe për ushtrinë ruse që nga nisja e kundërofensivës ukrainase muajin e kaluar, që ka dëbuar forcat e Moskës nga rajoni i Harkivit.

Cherevatiy shtoi se çlirimi i Limanit do të mundësonte që forcat ukrainase të hyjnë në rajonin e Luhanskut “drejt Kreminës dhe Severodonjeckut”.

Një lëvizje e tillë do të turpëronte edhe më shumë Kremlinin, që në korrik tha se rajoni i Luhanskut është i pushtuar plotësisht.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më 30 shtator paligjshëm aneksoi katër rajonet pjesërisht të okupuara ukrainase: Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja. Putin tha se këto tani janë territore ruse, teksa Perëndimi tha se një vendim i tillë përbën një përshkallëzim të luftës.

Të katër këto rajone, së bashku me Krimenë – që Moska aneksoi më 2014 – përbëjnë rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës dhe në to përfshihen disa prej zonave më të industrializuara.

Kievi ka thënë se nuk do të negociojë me Moskën për aq kohë sa Putin është në pushtet. /REL