Rusia: Brenda një dite, 10.000 vullnetarë për luftën në Ukrainë
FOTO: TASS

Rusia: Brenda një dite, 10.000 vullnetarë për luftën në Ukrainë

Bota September 22, 2022 - 20:24

Ushtria ruse tha më 22 shtator se të paktën 10.000 persona kanë dalë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë, rreth 24 orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi mobilizimin e rezervistëve.

“Gjatë ditës së parë të mobilizimit të pjesshëm, afër 10.000 qytetarë kanë arritur në qendrat e rekrutimit, me vullnet të lirë, pa pritur që të thirreshin”, tha për Interfax zëdhënësi i ushtrisë ruse, Vladimir Tsimlyansky.

Ai shtoi se ushtria ka krijuar qendra të thirrjes për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve dhe organizatave lidhur me mobilizimin.

Më 21 shtator njoftoi për shpalljen e “mobilizimit të pjesshëm” të rezervistëve. Më pas, ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu tha se do të thirren 300.000 rezervistë për luftën në Ukrainë.

Pas njoftimit të Putinit, mbi 1.300 persona u arrestuan në mbarë Rusinë të mërkurën, gjatë protestave kundër mobilizimit.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Putin, i cili pushtimin e quan “operacion të posaçëm ushtarak”, më 21 shtator përsëriti qëndrimin se synimi i tij është “çlirimi” i rajonit lindor ukrainas të Donbasit.

Shpallja e mobilizimit erdhi një ditë pasi separatistët në katër rajonet e kontrolluara nga forcat ruse në Ukrainë – Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja – njoftuan për planet për mbajtjen e të ashtuquajturave referendume për bashkim me Rusinë.

Votimet në të ashtuquajturat referendume do të nisin më 23 shtator dhe do të zgjasin deri më 27 shtator. Kievi dhe Perëndimi i dënuar planet për këto votime, ndërkaq shpalljen e mobilizimit e kanë cilësuar si përshkallëzim të luftës në Ukrainë, që pothuajse ka hyrë në muajin e tetë./rel