Dita 210 e luftës në Ukrainë: Bota reagon pas paralajmërimit të Putinit për mobilizim të pjesshëm

Dita 210 e luftës në Ukrainë: Bota reagon pas paralajmërimit të Putinit për mobilizim të pjesshëm

Bota September 21, 2022 - 11:36

Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit rus, pas fillimit të luftës në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm.

Kreu i Kremlinit deklaroi se është shumë e nevojshme për të marrë masa urgjente për të mbrojtur njerëzit në Donbas dhe për të çliruar tokat.

Putini shton se dekreti tashmë është firmosur dhe mobilizimi i pjesshëm nis prej ditës së sotme. Sipas këtij vendimi, pritet që ushtrisë t’i bashkohen rezervistët, ndërkohë që edhe qytetarët të cilët dëshirojnë të mobilizohen do të kenë statusin e forcave të armatosura.

Më tej, lideri rus nuk harroi të akuzonte Perëndimin se ka për qëllim që të shkatërrojë Rusinë dhe se po i përdor ukrainasit si “mish për top”. Ai shtoi se vendet perëndimore po e tregojnë nga dita në ditë se nuk duan paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi. Ky nuk është një blof. Integriteti territorial i atdheut tonë, pavarësia dhe liria jonë do të sigurohet, e përsëris me të gjitha mjetet që kemi. Ata që përpiqen të na shantazhojnë me armë bërthamore duhet të dinë se erërat mund të kthehen në drejtimin e tyre”, tha mes të tjerash Putini.

E pas këtij deklarimi, kur lufta e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainës ka hyrë në ditën e 210-të, kanë ardhur edhe reagimet e para nga liderët botërorë.

Reuters raporton se Letonia, anëtare e Bashkimit Evropian, e cila kufizohet me Rusinë, ka thënë se nuk do të ofrojë strehim për asnjë rus që ikën nga mobilizimi i trupave të Moskës. Ministri i Jashtëm leton, Edgars Rinkevics, e bëri njoftimin në një postim në Twitter të mërkurën, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

Edhe kryeministri holandez, Mark Rutte, i është bashkuar korit të liderëve perëndimorë duke komentuar paralajmërimin e Putinit për mobilizime të pjesshme dhe kërcënime për armët bërthamore. Reuters raporton se Rutte i tha transmetuesit holandez NOS:

“Mobilizimi, duke bërë thirrje për referendume në Donetsk, është e gjitha një shenjë paniku. Retorika e tij për armët bërthamore është diçka që e kemi dëgjuar shumë herë më parë dhe nuk na bëjnë më përshtypje. Është e gjitha pjesë e retorikës që ne njohim. Unë do të këshilloja të qëndroni të qetë”.

Bridget Brink, ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë, tha se Rusia ka treguar dobësi duke njoftuar një mobilizim të rezervave të saj ushtarake dhe duke vendosur referendume në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, raporton Reuters.

“Referendumet e rreme dhe mobilizimi janë shenja dobësie, e dështimi rus”, tha Brink në Twitter. “Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë pretendimin e Rusisë për territorin e supozuar të aneksuar të Ukrainës”.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace ka lëshuar një deklaratë në përgjigje të fjalimit të Vladimir Putin këtë mëngjes.

“Thyerja e premtimeve të Presidentit Putin për të mos mobilizuar pjesë të popullsisë dhe aneksimi i paligjshëm i pjesëve të Ukrainës janë një pranim se pushtimi i tij po dështon. Ai dhe ministri i tij i mbrojtjes kanë dërguar në vdekje dhjetëra mijëra qytetarë të tyre, të pajisur keq dhe të udhëhequr keq”.

“Asnjë sasi kërcënimesh dhe propagande nuk mund ta fshehë faktin se Ukraina po e fiton këtë luftë, komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar dhe Rusia po bëhet një pabesë globale”.

Reagim erdhi edhe nga Republika Çeke. Kryeministri Petr Fiala, ka shkruar në Twitter duke thënë:

“Mobilizimi i pjesshëm i shpallur nga Vladimir Putini është një përpjekje për të përshkallëzuar më tej luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë dhe provë e mëtejshme se Rusia është agresori i vetëm. Ndihma për Ukrainën është e nevojshme dhe ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë në interesin tonë”.

Veç vendeve perëndimore, reagim erdhi edhe nga Ministria e Jashtme e Kinës. Ajo u ka kërkuar të gjitha palëve që të angazhohen në dialog dhe konsultim dhe të gjejnë një mënyrë për të adresuar shqetësimet e sigurisë të të gjitha palëve pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin për atë që ai e përshkroi si “shantazh bërthamor”.

Reuters raporton se zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, në një konferencë të rregullt për media, tha se pozicioni i Kinës për Ukrainën është i qëndrueshëm dhe i qartë.

Ndërkaq, Gjermania ka thënë se po e shqyrton përgjigjen nga paralajmërimit të fundit të Putinit.

“Mobilizimi i pjesshëm i trupave të urdhëruar nga Rusia është një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit në Ukrainë ndaj të cilit qeveria gjermane po shqyrton përgjigjen e saj”, tha zëvendëskancelari i Gjermanisë.

Reuters raporton se Robert Habeck tha se ishte “një tjetër hap i keq dhe i gabuar nga Rusia, të cilin sigurisht do ta diskutojmë dhe konsultojmë politikisht në lidhje me mënyrën se si të përgjigjemi”.

Mobilizimi i Rusisë ishte një hap i parashikueshëm që do të rezultojë jashtëzakonisht jopopullor dhe nënvizon se lufta nuk po shkon sipas planit të Moskës, tha për Reuters këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak.

Podolyak tha në një mesazh me tekst për agjencinë e lajmeve se Vladimir Putini po përpiqej të zhvendoste fajin për fillimin e një “lufte të paprovokuar” dhe përkeqësimin e situatës ekonomike të Rusisë në perëndim.

“The Guardian” sjell në kujtesë gjeografinë dhe statusin aktual të zonave ku autoritetet përfaqësuese të Rusisë po propozojnë që referendumet për bashkimin me Federatën Ruse të mbahen në fundjavë.

Rreth 60% e rajonit të Donetskut është nën kontrollin e të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut (DPR), e cila ekziston që nga viti 2014. Në veri-lindje, Republika Popullore e Luhanskut (LPR) e vetëshpallur në mënyrë të ngjashme dhe kryesisht e panjohur ka kontrollin ndaj të gjithë rajonit, edhe pse ditët e fundit forcat ukrainase kishin fituar një pengesë simbolike duke u shtyrë përmes Kharkivit nga perëndimi. Rusia, Siria dhe Koreja e Veriut janë të vetmet shtete anëtare të OKB-së që njohin DPR-në dhe LPR-në si autoritete legjitime.

Në jug të Ukrainës, forcat ruse nuk kanë kontroll të plotë të territorit as të Khersonit dhe as të Zaporizhzhisë, ku autoritetet e instaluara nga Rusia po propozojnë gjithashtu të bëjnë votime. /Zëri