Plagosja e Salman Rushdie, SHBA-ja akuzon Iranin për nxitje të dhunës

Plagosja e Salman Rushdie, SHBA-ja akuzon Iranin për nxitje të dhunës

Bota August 15, 2022 - 15:03

Plagosja e Salman Rushdie, SHBA akuzojnë Iranin për nxitje të dhunësNë arenën ndërkombëtare ka marrë jetë vala e akuzave lidhur me plagosjen e shkrimtarit Salman Rushdie, në një event letrar në Nju Jork.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka akuzuar direkt Iranin se ka frymëzuar agresionin ndaj shkrimtarit indiano-britanik.

“Institucionet iraniane, për vite me radhë kanë nxitur dhunën ndaj shkrimtarit dhe mediat shtetërore këto ditë i kanë bërë jehonë atentatit në dëm të tij”, ka deklaruar Blinken.

Sipas një komunikate të Departamentit të Shtetit, shefi i diplomacisë amerikane i ka cilësuar këto veprime të Teheranit si “të neveritshme”.

Por nga ana e saj, Republika Islamike ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me atentatorin e Rushdie dhe për sulmin ka fajësuar vetë shkrimtarin.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani, në reagimin e parë zyrtar lidhur me ngjarjen, ka theksuar se, askush nuk ka të drejtë të akuzojë Teheranin”.

“Për këtë sulm, ne nuk shohim përgjegjës tjetër përveç se vetë Salman Rushdie dhe mbështetësit e tij”, ka thënë zëdhënësi.

Ai ka shtuar se liria e shprehjes nuk i justifikon fyerjet që shkrimtari i ka bërë sipas tij fesë islame.

Më herët një nga mediat shtetërore iraniane, duke raportuar lajmin mbi plagosjen e Rushdie dhe duke u ndalur tek informacioni se ai mund të humbasë njërin sy, deklaroi se “një nga sytë e Djallit tashmë është verbuar”. /euronews