Trumpi nën hetim për spiunazh: Zbardhet urdhri i kontrollit i FBI-së

Trumpi nën hetim për spiunazh: Zbardhet urdhri i kontrollit i FBI-së

Bota August 12, 2022 - 23:19

Mandati që lejoi agjentët e FBI-së të kontrollonin resortin në pronësi të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u bë publik të premten nga një gjykatës federal në Florida.

Kjo erdhi pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri kërkesën e pazakontë që të bëhej publik një urdhër kontrolli, pjesë e një hetimi penal.

Agjentët federalë amerikanë gjetën dosje të fshehta dhe dokumente të tjera shumë të klasifikuara nga shtëpia e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Florida, sipas dokumenteve të gjykatës të publikuara të premten.

FBI-ja bastisi pronën e Trumpit të hënën, por deri më tani nuk ka dhënë detaje se çfarë po kërkonin apo çfarë u gjet. Ligji federal në SHBA ndalon keqpërdorimin e materialeve të klasifikuar dhe përvetësimin apo mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve ose materialeve të klasifikuara.

Dokumentet e gjykatës zbuluan se agjentët e FBI-së gjetën 11 dosje dokumentesh të klasifikuara, duke përfshirë disa të shënuara si ‘top sekret’. Një dosje ishte e shënuar si "top sekret/SCI" - niveli më i lartë i klasifikimit.

Përmbajtja e atyre dokumenteve nuk u bë e ditur.Agjentët sekuestruan rreth 20 kuti sendesh, si dhe sete fotografish, informacione për presidentin e Francës, dhënien e faljes ekzekutive për Roger Stone dhe një shënim të shkruar me dorë.

Sipas dokumenteve, Trump po hetohet për shkelje të mundshme të Aktit të spiunazhit.

Ndërsa ishte në pushtet, Trump rriti dënimet për shkeljen e këtyre ligjeve, duke i bërë shkeljet e dënueshme deri në pesë vjet burg.

Të enjten, prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, tha se Departamenti i Drejtësisë i kishte kërkuar një gjykate të Floridës që të bënte publike dokumentet, duke përmendur "interesin e konsiderueshëm publik mbi këtë çështje".

Trump pohoi në një postim në faqen e tij të internetit “Truth Social” të premten se asnjë nga dokumentet e sekuestruara nuk ishte i klasifikuar.

"E para, ishin të gjitha të deklasifikuara. E dyta, ata nuk kishin nevojë të "sekuestronin" asgjë. Ata mund ta merrnin kur të donin pa bërë lojëra politike dhe pa u futur në Mar-a-Lago. Ishin të sigurta në magazinë, me një bravë shtesë sipas kërkesës së tyre”, shkroi Trump.

Që nga kontrolli i së hënës, prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Garland dhe departamenti i tij janë përballur me një reagim të ashpër nga Partia Republikane, si dhe nga Trump dhe mbështetësit e tij.

Pas bastisjes, një person i armatosur humbi jetën në një shkëmbim zjarri pasi u përpoq të futej brenda zyrës së FBI-së në Sinsinati. Ngjarja po hetohet si një akt i brendshëm ekstremizmi./rel