Trumpi kërkon që të bëhet publik urdhri për kontrollin nga FBI-ja

Trumpi kërkon që të bëhet publik urdhri për kontrollin nga FBI-ja

Bota August 12, 2022 - 19:33

Ish-Presidenti Donald Trump bëri thirrje të enjten vonë për bërjen “menjëherë” publike të urdhrit federal që përdori FBI-ja për të kontrolluar rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, disa orë pasi Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland i kërkoi një gjykate ta publikonte urdhrin, duke përmendur si argument "interesin e konsiderueshëm publik për këtë çështje."

Zoti Trump shkruajti në platformën e tij “Truth Social”, se jo vetëm që nuk e kundërshtonte publikimin e dokumenteve, por po shkonte një hap më tej “duke inkurajuar lëshimin e menjëhershëm të tyre."

Ai vazhdoi të kritikonte ashpër kontrollin nga FBI-ja të Mar-a-Lagos si "joamerikan, të pajustifikuar dhe të panevojshëm".

"Nxirrini dokumentat tani!" shkruan ai.

Ndërkohë të premten ish-presidenti reagoi ndaj një artikulli të gazetës Washington Post, sipas së cilit agjentët e FBI-së që kontrolluan shtëpinë e tij në Mar-a-Lago po kërkonin për dokumenta mbi çështje bërthamore, duke thënë se “është një gënjeshtër”.

Gazeta shkruan se nuk është e qartë nëse u gjetën dokumente të tilla në Mar-a-Lago.

Zoti Trump nuk ofroi asnjë provë për të vërtetuar pretendimin e tij se njoftimi i gazetës ishte gënjeshtër dhe as për pretendimin tjetër që ai bëri, se provat mund të ishin vënë me qëllim në shtëpinë e tij.

Kërkesa që Departamenti i Drejtësisë bëri të enjten është e pazakontë sepse dokumente të tilla zakonisht mbahen konfidenciale ndërsa vazhdon hetimi. Por mesa duket Departamenti kishte arritur në përfundimin se heshtja e tij, që kur u bë kontrolli, kishte krijuar një hapësirë për retorikë të ashpër nga zoti Trump dhe aleatët e tij dhe se publiku kishte të drejtën të njihej me versionin e FBI-së për arsyet që sollën kontrollin në shtëpinë e ish-presidentit të hënën.

Nëse urdhri publikohet, kjo mund të nxjerrë në pah informacione të pafavorshme për ish-presidentin si edhe për hetimin nga FBI-ja të mënyrës sesi ai i kishte trajtuar dokumente sekrete qeveritare, pikërisht në një kohë kur ai përgatitet për një tjetër kandidim për Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fushatës së tij të suksesshme të vitit 2016, zoti Trump përmendi shpesh një hetim të FBI-së ndaj kundërshtares së tij demokrate, Hillary Clinton, që synonte të zbulonte nëse ajo kishte keqpërdorur informacione sekrete.

Për të marrë një urdhër kontrolli, autoritetet federale duhet t'i provojnë një gjyqtari se ekziston një shkak i mundshëm për të besuar se është kryer një vepër penale. Prokurori i Përgjithshëm Garland tha se ai personalisht e kishte miratuar urdhrin, një vendim që ai tha se departamenti nuk e mori lehtësisht duke pasur parasysh se praktika standarde është që nëse është mundur të zgjidhen praktika më pak ndërhyrëse sesa kontrolli i shtëpisë.

Në këtë rast, sipas një personi që ka dijeni për çështjen, kishte pasur një komunikim të konsiderueshëm me zotin Trump dhe avokatët e tij përpara urdhrit të kontrollit, përfshirë një kërkesë zyrtare për të dorëzuar dokumenta dhe një vizitë në Mar-a-Lago disa muaj më parë nga FBI dhe zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë për të vlerësuar se si ishin ruajtur dokumentet.

As zoti Trump dhe as FBI-ja nuk kanë thënë asgjë në lidhje me dokumentet që FBI mund të ketë marrë, ose çfarë saktësisht po kërkonin agjentët.

Ish-presidenti, i cili për vite me radhë ka kritikuar FBI-në dhe ka kërkuar të mbjellë mosbesim mes mbështetësve të tij për vendimet e saj, tha se kontrolli u krye pavarësisht bashkëpunimit të tij me Departamentin e Drejtësisë.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, zoti Trump tha se "avokatët dhe përfaqësuesit e tij po bashkëpunonin plotësisht" përpara kontrollit dhe se zyrtarët e qeverisë "mund të merrnin gjithçka që dëshironin, kurdo që të dëshironin, nëse ne do ta kishim. "

FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë nuk diskutojnë publikisht lidhur me hetime që janë në vazhdim e sipër, si për të mbrojtur integritetin e hetimeve, ashtu edhe për të shmangur trajtimin e padrejtë të dikujt që po shqyrtohet, por mbi të cilin përfundimisht mund të mos ngrihen akuza. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e urdhrave për kontroll, ku dokumentet gjyqësore mbështetëse mbahen zakonisht sekret ndërsa vazhdon hetimi.

Megjithatë, në këtë rast, zoti Garland përmendi faktin se vetë zoti Trump kishte dhënë konfirmimin e parë publik për kontrollin e FBI-së, "siç është e drejta e tij".

"Pjesa më e madhe e punës sonë kryhet larg syve të publikut. Ne e bëjmë këtë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve dhe për të mbrojtur integritetin e hetimeve tona," tha ai. "Ligji federal, rregullat e departamentit dhe detyrimet tona etike nuk më lejojnë për momentin të jap detaje të mëtejshme në lidhje me bazën mbi të cilën u bë kontrolli ", tha ai të enjten.

Departamenti i Drejtësisë nën drejtimin e zotit Garland ka qenë i përmbajtur me deklaratat publike në lidhje me hetime delikate për çështje të ngarkuara politikisht, ose për të konfirmuar se deri në çfarë mase mund të jetë duke e hetuar zotin Trump si pjesë e një hetimi më të gjerë për trazirat e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Departamenti është përpjekur të shmangë perceptimin se po ndërhyn në politikën presidenciale, siç ndodhi në vitin 2016 kur drejtori i atëhershëm i FBI-së, James Comey bëri një deklaratë të pazakontë publike duke njoftuar se FBI-ja nuk do të rekomandonte akuza penale kundër zonjës Clinton lidhur me mënyrën se si ajo kishte përdorur emailet dhe kur foli përsëri pak më shumë se një javë para zgjedhjeve, për të njoftuar Kongresin se hetimi po rihapej për shkak të zbulimit të emaileve të reja.

Urdhri për kontrollin në Mar-a-Lago të hënën ishte pjesë e një hetimi të Departamentit të Drejtësisë për të zbuluar nëse zoti Trump kishte marrë të dhëna të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e tij në Florida.

Arkivi Kombëtar i kishte kërkuar departamentit të hetonte pasi tha se 15 kuti të dhënash që mori nga ajo residencë përfshinin dokumente të klasifikuara.

Prokurori i Përgjithshëm dënoi gjithashtu sulmet verbale ndaj personelit të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë lidhur me kontrollin.

Disa aleatë republikanë të zotit Trump kanë bërë thirrje që FBI-ja të mos mbështetet me fonde. Një numër i madh mbështetësish të ish-presidentit kanë bërë thirrje që të publikohet përmbajtja e urdhrit, duke shpresuar se kjo do të vërtetonte se zoti Trump ishte vënë pa të drejtë në shënjestër./voa