Basketbollistja amerikane shpallet fajtore për kontrabandë droge në Rusi

Basketbollistja amerikane shpallet fajtore për kontrabandë droge në Rusi

Bota August 04, 2022 - 18:08

Një gjykatë ruse e shpalli fajtore basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për kontrabandë droge. Gjykata tha se ajo “qëllimisht” kishte sjell në Rusi vaj kanabisi.

Gjykata në Moskë nuk ka njoftuar menjëherë se me sa vite do të dënohet kampionia e dyfishtë olimpike. Prokurorët kanë kërkuar që ajo të dënohet me nëntë e vjet e gjysmë burgim. Sipas ligjeve ruse, dënimi maksimal për akuzat që rëndojnë ndaj Griner është dhjetë vjet burgim.

Gjatë adresimit final para një gjykate ruse më herët gjatë 4 gushtit, kampionia e dyfishtë olimpike tha se ajo nuk kishte dashur që ta shkelte ligjin dhe se prindërit e kishin mësuar që të marrë përgjegjësi për veprimet e saj.

Avokati i basketbollistes ka kërkuar nga gjykata një dënim më të butë.

“Unë nuk kam planifikuar që ta kryej këtë krim”, tha Griner.

“Nuk kam dashur që ta lëndoj askënd, të vë në rrezik popullatë ruse, të shkel ligjet”, tha basketbollistja, duke shtuar se shpreson që politika nuk do të ketë rol në vendimin e gjykatës.

Griner gjendet në paraburgim në Rusi qëkur autoritetet i gjetën vaj të kanabisit në valixhen e saj, teksa ajo po kalonte përmes aeroportit Sheremetyevo të Moskës në shkurt.

Kanabisi është ilegal në Rusi dhe ndalohet përdorimi edhe për çështje mjekësore, por edhe për rekreacion.

Rasti i basketbollistes ka përkeqësuar raportet midis SHBA-së dhe Rusisë dhe presidenti amerikan, Joe Biden, është vënë nën presion që të reagojë për rastin e saj, por edhe për rastin e ish-marinsit amerikan, Paul Whealan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 29 korrik bisedoi në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për mundësinë e këmbimit të të burgosurve, përfshirë Griner dhe rusin Viktor Bout.