Familjet e ushtarëve të bllokuar në Azovstal i bëjnë thirrje Kinës: Shpëtojini, ata meritojnë të shohin diellin

Familjet e ushtarëve të bllokuar në Azovstal i bëjnë thirrje Kinës: Shpëtojini, ata meritojnë të shohin diellin

Bota May 14, 2022 - 15:28

Familjet e ushtarëve të bllokuar brenda fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol i kanë bërë thirrje presidentit të Kinës Xi Jinping, që të veprojë si ndërmjetës pasi është i vetmi lider që Putin mund të dëgjojë, shkruan The Guardian.

Gjatë një konference për shtyp në qendër të Kievit të shtunën, familjet, të cilat kanë kontakte të kufizuara me të dashurit e tyre, thanë se koha po mbaron për ushtarët, duke shprehur shqetësimin se janë pakësuar furnizimet mjekësore dhe ato ushqimore.

Tanya Vychnyk, e cila e pa për herë të fundit djalin e saj 21-vjeçar Artem në shkurt, tha se po lutet për një mrekulli.

“Ata janë në ferr të vërtetë. Ata meritojnë të shohin diellin”, tha Vychnyk me sytë e mbushur me lot.

Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk, tha se po vazhdojnë negociatat për lirimin e ushtarëve, disa prej të cilëve janë plagosur.

“Ka mbetur vetëm një njeri në botë të cilit mund t’i drejtohemi, ai është udhëheqësi kinez. Kina ka një ndikim të madh mbi Rusinë dhe personalisht tek Putin. Kërkojmë që ai të ndërhyjë”, tha Stavr Vychniak, babai i një prej ushtarëve të bllokuar

Ai i bëri thirrje Xi të marrë masat e nevojshme për evakuimin e ushtarëve. Natalia Zarytska, gruaja e një prej ushtarëve të bllokuar, gjithashtu bëri thirrje për ndihmë.

“Ka ende një person në këtë botë, të cilit Putini nuk mund t’i thotë jo,” tha ajo, duke i bërë thirrje Xi-t të shpëtojë ushtarët.

“Ne kemi besim se Kina, e fortë dhe fisnike, është në gjendje të marrë vendime të vështira në emër të së mirës.” Zarytska tha se ka kontakte me burrin e saj, duke thënë se ata po sulmohen nga deti, toka dhe ajri.

Ajo i bëri thirrje botës të mos heshtë dhe të ndalojë këtë mizori në Azovstal. /abcnews