Dënohet me varje një grua në Pakistan për shkak të mesazheve blasfemike

Dënohet me varje një grua në Pakistan për shkak të mesazheve blasfemike

Bota January 20, 2022 - 13:07

Një gjykatë në Pakistan ka dënuar me vdekje një grua për mesazhet e supozuara blasfemuese të dërguara përmes aplikacioneve “WhatsApp” dhe “Facebook”.

Aneeqa Ateeq, 26 vjeçe, u shpall fajtore dhe u dënua me vdekje nga një gjykatë në Rawalpindi të mërkurën, pasi u regjistrua një ankesë kundër saj sipas ligjeve drakoniane të krimit kibernetik dhe blasfemisë në Pakistan, raporton “The Guardian”.

Sipas fletës së akuzës, Ateeqi u takua me akuzuesin e saj, një koleg pakistanez, në internet në vitin 2019 përmes një aplikacioni të lojërave online dhe dyshja filluan të korrespondonin përmes “WhatsApp”-it.

Ai e akuzoi atë për dërgimin e karikaturave blasfemuese të profetëve të shenjtë, duke bërë komente për “personazhet e shenjta” në “WhatsApp” dhe duke përdorur llogarinë e saj në “Facebook” për të transmetuar materiale blasfemuese në llogari të tjera. Duke vepruar kështu, ajo “përdhos qëllimisht dhe me vetëdije personalitetet e shenjta dhe fyen besimet fetare të myslimanëve”, sipas fletës së akuzës, transmeton Zeri.info.

Ateeqi, e cila ka deklaruar se është një myslimane praktikuese, i ka mohuar të gjitha akuzat. Gjatë gjykimit, Ateeqi i tha gjykatës se ajo besonte se ankuesi e tërhoqi qëllimisht atë në një diskutim fetar, në mënyrë që ai të mundë të mblidhte prova dhe të merrte “hakmarrje”, pasi ajo refuzoi të ishte miqësore me të.

Gjykata e shpalli fajtore, e dënoi me 20 vjet dhe urdhëroi që të varej.

Avokati i Ateeqit, Syeda Rashida Zainab, tha: “Nuk mund të komentoj vendimin, pasi çështja është shumë e ndjeshme”.

Pakistani është një shtet islamik dhe ka disa nga ligjet më të ashpra të blasfemisë në botë, duke shqiptuar rregullisht dënime me vdekje. Në praktikë ekzekutimet nuk kryhen dhe të akuzuarit kalojnë jetën në burg.

Sidoqoftë, gjyqet e blasfemisë në Pakistan janë shumë të rrezikshme, me të akuzuarit që shpesh vriten nga vigjilentët përpara se gjykatat të marrin një vendim për çështjet e tyre, ndërsa gjyqtarët, të frikësuar nga implikimet, rrallëherë i shpallin të pafajshëm të akuzuarit dhe shpesh u bëhet presion për të marrë vendime fajësie.

Pakistani u ka kërkuar së fundmi “Facebook”-ut dhe “Twitter”-it që të ndihmojnë në identifikimin e qytetarëve të vet të dyshuar për blasfemi, në mënyrë që të mund t’i ndjekë penalisht ata ose të ndjekë ekstradimin e tyre.

Sipas Komisionit Amerikan për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, rreth 80 njerëz në Pakistan janë në burg për blasfemi, me të paktën gjysma e dënuar me vdekje, megjithëse nuk ka pasur ekzekutime. /Zëri