“Hodha një karrige në drejtim të tij”: Rabini përshkruan arratisjen nga i armatosuri gjatë pengmarrjes në Teksas

“Hodha një karrige në drejtim të tij”: Rabini përshkruan arratisjen nga i armatosuri gjatë pengmarrjes në Teksas

Bota January 18, 2022 - 10:39

Rabini i një sinagoge në Teksas, i cili u mor peng të shtunën, ka përshkruar se si ai hodhi një karrige në drejtim të personit të armatosur, për të shpëtuar.

Sipas mediave të huaja, më pas, ai dhe dy pengje të tjerë mundën të dilnin “pa u qëlluar me armë”, pas një rrethimi 10 orësh.

Pengmarrësi, i quajtur si shtetasi britanik Malik Faisal Akram, u qëllua për vdekje pas një përplasjeje me policinë.

Dhe presidenti amerikan Joe Biden e ka përshkruar incidentin e marrjes së pengjeve si “një akt terrori”.

Sipas mediave të huaja, e gjitha filloi rreth orës 11:00 me orën lokale të shtunën.

Rabini Charlie Cytron-Walker i tha partnerit të BBC-së, CBS News se grupi ishte duke u lutur kur dëgjoi një zhurmë që doli të ishte arma e pengmarrësit dhe ai dhe tre të tjerë u mbajtën rob.

“Ne jemi kërcënuar gjatë gjithë kohës por për fat asnjëri prej nesh nuk është lënduar fizikisht”, tha ai.

Një peng u lirua pas gjashtë orësh, ndërsa tre të tjerët u arratisën disa orë më vonë.

“Kur pashë një mundësi, kur ai nuk ishte në një pozicion të mirë, u sigurova që zotërinjtë ishin ende me mua, ata ishin gati të shkonin”, kujtoi rabini Cytron-Walker. “Pasi dalja nuk ishte shumë larg, u thashë të shkonin”.

Më pas ai thotë se hodhi një karrige në drejtim të personit të armatosur dhe u nis drejt derës.

“Ishte e tmerrshme. Ishte dërrmuese…”, citohet të ketë thënë rabini Cytron-Walker.

Ai shtoi se kthimi në sinagogë pas incidentit “nuk do të jetë i lehtë, por është një gjë e rëndësishme”.

Shërbimi u transmetua drejtpërdrejt dhe është kapur një bisedë audio e burrit që kërkon lirimin e Aafia Siddiqui, një neuroshkencëtare pakistaneze e cila aktualisht po vuan një dënim prej 86 vitesh burg në SHBA, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit për mediat lokale.

Siddiqui u dënua për përpjekjen për të vrarë oficerët ushtarakë amerikanë ndërsa ishte në paraburgim në Afganistan. Mijëra dolën në rrugë në Pakistan për të protestuar kundër dënimit të saj në vitin 2010.

Malik Faisal Akram ishte nga Blackburn, Lancashire

Ndërkohë një vëlla i Malik Faisal Akram lëshoi një deklaratë duke u kërkuar falje viktimave dhe duke thënë se ai kishte vuajtur nga “çështje të shëndetit mendor”.

Miqtë e Akramit në qytetin e tij të lindjes në Blackburn i thanë BBC-së se shëndeti i tij mendor ishte përkeqësuar dhe thanë se ishin të befasuar që ai kishte mundur të udhëtonte në SHBA.

CBS News raportoi se Akram mbërriti në SHBA dy javë para pengmarrjes, duke zbritur në Nju Jork.

Dy adoleshentë janë arrestuar në Angli në kuadër të hetimeve për ngjarjen. Mosha dhe gjinia e tyre nuk janë zbuluar.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss e përshkroi incidentin si një “akt terrorizmi dhe antisemitizmi”.

“Ne qëndrojmë me SHBA-në në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve tanë kundër atyre që përhapin urrejtje”, ka thënë ajo. /Telegrafi