Britania i dërgon armë për mbrojtje Ukrainës

Britania i dërgon armë për mbrojtje Ukrainës

Bota January 18, 2022 - 10:05

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se vendi i tij është duke e furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të shkurtër anti-tank për vetëmbrojtje, pasi Rusia ka grumbulluar rreth 100.000 trupa afër kufirit të saj.

Wallace tha para deputetëve britanikë se edhe një grup i vogël i trupave britanike do të dërgohet në Ukrainë për të ofruar trajnime, shkruan BBC

Ai tha se ka “arsye legjitime dhe të vërtetë për shqetësim” se trupat ruse mund të shfrytëzohen për pushtim. Sidoqoftë, Rusia ka mohuar se ka plane për pushtimin e Ukrainës dhe e ka akuzuar Perëndimin për agresion.

Dhjetra trupa britanike ndodhen në Ukrainë nga viti 2015 për të ofruar ndihmë për trajnimin e ushtrisë ukrainase dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu është zotuar se do të ofrojë ndihmë edhe për rindërtimin e forcave detare ukrainase pas pushtimit të Krimesë nga Rusia më 2014.

“Ukraina ka çdo të drejtë për t’i mbrojtur kufijtë e vet dhe kjo pako e re e ndihmës e forcon më tej aftësinë e saj për ta bërë këtë. Më lejoni që të jem i qartë: kjo përkrahje është për kapacitete të armëve me rreze të shkurtër dhe qartazi mbrojtëse; ato nuk janë armë strategjike dhe nuk përbëjnë kërcënim për Rusinë, ato janë për t’u përdorur në vetëmbrojtje”, tha sekretari britanik.

Ai gjithashtu tha se ekziston një pako e sanksioneve ndërkombëtare të gatshme për zbatim, nëse Rusia ndërmerr ndonjë veprim destabilizues në Ukrainë./GazetaExpress