Serbia sot në referendum për ndryshime kushtuese
Foto: Nova

Serbia sot në referendum për ndryshime kushtuese

Bota January 16, 2022 - 08:46

Në Serbi sot është duke u mbajtur referendumi për ndryshime kushtetuese në fushën e drejtësisë.

Serbia tentoi që referendumin ta organizojë edhe në Kosovë, gjegjësisht në komunat me shumicë serbe, mirëpo kjo u pamundësua pas refuzimit të kësaj kërkese nga institucionet e Kosovës.

E pas votimit të rezolutës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, qeveria në Serbi gjeti në zgjidhje për qytetarët serbë të Kosovës për të marrë pjesë në këtë referendum. Serbëve të Kosovës iu dha mundësia që të votojnë në Kushumli, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranje, raporton Zeri.info.

Gjithashtu, votat e votuesve nga Kosova nuk do të ndahen veçmas, por do të bëhen bashkë me votat e votuesve të qytetarëve të Serbisë që votojnë në këto qytete.

Në Vranjë do të votojnë votuesit nga komuna e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës. Në Novi Pazar do të votojnë votuesit nga komunat e Istogut, Klinës, Pejës, Dragashit, Prizrenit dhe Rahovecit.

Votuesit nga Fushë-Kosova, Lipjani, Prishtina, Ferizaj, Shtërpca dhe Obiliqi do të votojnë në Kurshumli, ata nga komunat e Vushtrrisë, Zveçanit, Zubin Potokut, Mitrovicës dhe Leposaviqit në Rashkë.

Ky vendim u mor nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KQZ) në Serbi, pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të mos lejuar organizimin e referendumit në territorin e shtetit tonë.

Kryetari i organizmit të procesit zgjedhor atje, Vladimir Dimitrijeviq, njoftoi se vendvotimet hapën në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në ora 8 të mbrëmjes.

Referendumi në Serbi mbahet që të bëhen ndryshime kushtetuese, në mënyrë që t’i krijohet më shumë pushtet degës së Gjyqësorit në emërime dhe shkarkime.

Ambasadorët e QUINT-it në Kosovë bënë thirrje që të lejohet që ky referendum të mbahet në Kosovë, por kjo gjë u kundërshtua kategorikisht nga institucionet e vendit.

Mediat serbe po raportojnë se qendrat e votimit janë hapur dhe se votimi po shkon pa ndonjë problem. /Zëri