Bullgaria konfirmon veton për RMV, kërkesa për BE: Të ndahet procesi për Shqipërinë

Bullgaria konfirmon veton për RMV, kërkesa për BE: Të ndahet procesi për Shqipërinë

Bota November 25, 2021 - 16:38

Bullgaria konfirmon veton ndaj Maqedonisë së Veriut, për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, që po mban peng edhe Shqipërinë.

Gjatë një takimi të këshillit të çështjeve të përgjithshme në Bruksel, ambasadori i Bullgarisë në BE, Rumen Alexandrov kërkoi ndarjen e Shkupit dhe Tiranës në procesin e zgjerimit, ndërsa vlerësoi se Maqedonia e Veriut nuk i ka përmbushur kushtet.

“Shqipëria duhet të gjykohet mbi bazë të meritave dhe është gati për të bërë përpara në rrugën drejt BE-së. Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk i ka përmbushur kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Rumen Alexandrov, ambasador i Bullgarisë në BE.

Ambasadori shtoi më tej se gjatë muajve të fundit, pala bullgare ka propozuar një sërë opsionesh për tejkalimin e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut, lidhur me garantimin e të drejtave të qytetarëve me kombësi bullgare dhe implementimin e traktatit të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit.

“Partnerët tanë duhet të ndërmarrin angazhime konkrete, disa prej të cilave duhet të implementohen në periudhë afatshkurtër dhe pjesa tjetër do të jetë mes kërkesave në kornizën e ardhshme të negociatave. Derisa kjo të ndodhë nuk mund të ketë progres në procesin e zgjerimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Sakaq, gjatë një bisede telefonike me komisionerin për zgjerim të BE-së, Oliver Varhei, presidenti bullgar, Rumen Radev, tha se pret rezultate konkrete nga dialogu me Maqedoninë e Veriut. Sofja është e hapur për dialog, ka bërë pyetje të qarta dhe pret përgjigje dhe veprime reale nga Shkupi, pohoi presidenti. Sipas tij, dialogu duhet të përqendrohet te respektimin i të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, zhdukja e përhershme e gjuhës së urrejtjes dhe respektimi i historisë dhe trashëgimisë kulturore bullgare në Republikën e Maqedonisë./A2/