Bideni mesazh të qartë Bosnjës: Jemi me ju për sovranitetin dhe integritetin territorial

Bideni mesazh të qartë Bosnjës: Jemi me ju për sovranitetin dhe integritetin territorial

Bota November 25, 2021 - 14:05

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka dërguar urime Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës me rastin e Ditës së Shtetësisë dhe pjesë të mesazhit të tij u përcollën nga Ambasada e SHBA-së në këtë vend.

Siç njofton Ambasada në një postim në Twitter, Bideni ka thënë se “SHBA-ja është me ju” për sa i përket “sovranitetit dhe integritetit territorial” të Bosnjë e Hercegovinës.

“Urime Dita e Shtetësisë, Bosnjë e Hercegovinë! Siç theksoi presidenti Joe Biden në mesazhin e tij drejtuar Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, ‘në këtë ditë kremteje, dijeni se Shtetet e Bashkuara janë me ju për t’i mbështetur reformat e vazhdueshme demokratike, ripërkushtimin tuaj për sundim të ligjit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës’”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në BeH, raporton Zeri.info.

Dita e Shtetësisë së Bosnjë dhe Hercegovinës është një festë e cila festohet më 25 nëntor për të përkujtuar ditën kur më 25 nëntor të vitit 1943 Këshilli Antifashist Çlirimtar Kombëtar i Jugosllavisë për Bosnjë dhe Hercegovinë, KAÇKJBeH (origj. ZAVNOBiH) miratoi Rezolutën e KAÇKJBeH-së, me të cilën popujt e saj vendosën që Bosnjë e Hercegovina të jetë atdheu i tyre.

Ligji për Proklamimin e 25 Nëntorit si Dita e Shtetësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës (Gazeta Zyrtare e R B dhe H, nr. 9/95) përcakton se më 25 Nëntor është Dita e Shtetësisë së Bosnjë dhe Hercegovinës.

Rezoluta e miratuar thekson se BeH-ja nuk është as serbe, as myslimane, as kroate, por edhe serbe, edhe myslimane, edhe kroate.

Dita e Shtetësisë së Bosnjë dhe Hercegovinës nuk duhet të ngatërrohet me Ditën e Pavarësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila çdo vit organizohet më 1 mars për nder të plebishitit të vitit 1992, i cili tregoi se 63,6% e qytetarëve të vendit ishin deklaruar për një komb sovran. /Zëri