SHBA-ja dhe Kina, afër një momenti të ri “Sputnik”

SHBA-ja dhe Kina, afër një momenti të ri “Sputnik”

Bota October 28, 2021 - 12:22

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, konfirmoi se Kina ka testuar një armë hipersonike në fillim të këtij viti dhe tha se prova ka qenë shumë pranë një “momenti Sputnik” për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur në një intervistë për televizionin Bloomberg, Milley tha se bëhet fjalë për një “ngjarje shumë të rëndësishme teknologjike”, e cila ka “gjithë vëmendjen” e SHBA-së.

“Nuk e di nëse është një moment i Sputnik-ut, por mendoj se është shumë afër kësaj”, tha Milley.

Lëshimi i satelitit të parë në botë Sputnik nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1957, ka tërhequr vëmendje të madhe dhe ka rritur frikën e SHBA-së se po mbetej prapa në aspektin e teknologjisë.

Ngjarja ka bërë që presidenti i atëhershëm amerikan, John F. Kennedy, të deklarojë se SHBA-ja do të zbarkojë njerëz në Hënë dhe ky qëllim është arritur në më pak se një dekadë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka refuzuar më herët të konfirmojë provën kineze, e cila është raportuar për herë të parë nga gazeta Financial Times, më 16 tetor.

Raketa ka fluturuar rreth Tokës në një lartësi të ulët dhe me një shpejtësi më shumë se pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit, ka shkruar Financial Times.

Ekspertët ushtarakë janë të alarmuar nga testimi i raketës me aftësi bërthamore, sepse, sipas tyre, ajo është vështirë të zbulohet.

Ministria e Jashtme e Kinës mohoi se ka testuar armë. Ajo tha se testi ishte rutinë. “Nuk ishte raketë, ishte një mjet hapësinor”, tha ministria kineze.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU