Masakra në Norvegji, policia dyshon se autori është i sëmurë mendor

Masakra në Norvegji, policia dyshon se autori është i sëmurë mendor

Bota October 16, 2021 - 19:07

Agresori që vrau pesë persona me hark dhe shigjeta në Norvegji dyshohet se vuan nga probleme mendore.

I dyshuari Espen Andersen Brathen, danez i konvertuar në mysliman pritet t’i nënshtrohet një kontrolli psikiatrik.

“Ai është i lodhur dhe mendërisht i sëmurë, ndaj nuk mund ta marrim në pyetje. Ai ndodhet në një institucion, nën mbikëqyrjen e policisë dhe s’mund të largohet”, deklaroi Thomas Omholt, inspektor policie.

Përveç hipotezës së parë, policia po heton edhe për një ngjarje që vjen për “urrejtje, hakmarrje, xhihad apo provokim, tha inspektori i policisë.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, që mori detyrën një ditë pas sulmit në Kongsberg, vizitoi qytetin dhe vendosi buqeta me lule në memorialin dedikuar viktimave.

“Kjo është një ngjarje tronditëse, që ka alarmuar shumë njerëz nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim dhe si kryeministër unë dua të ndaj me autoritetet dhe qytetarët e Kongsbergut mesazhin se jam pranë jush”, u shpreh Jonas Gahr Store.

Në Kongsberg policia është ende rrugëve, ndërsa qytetarët janë ende të tronditur.

“Ndihem i shkatërruar. Nuk mund të them asgjë më shumë se kaq. Nuk do ta kaloj kurrë këtë”, thotë Svean Westad, pensionist.

Bilanci i vdekjeve ishte më i rëndi në Norvegji që prej vitit 2011, kur ekstremisti Anders Behring Breivik vrau 77 persona në një kamp rinor. /euronews.al