Republika Sërpska refuzon ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit
Foto: Flickr

Republika Sërpska refuzon ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit

Bota October 13, 2021 - 19:44

Presidentja e Republika Sërpskës në Bosnje dhe Hercegovinë, Zheljka Cvijanoviq, përmes një dekreti hodhi posht ndryshimet e bëra në kodin penal të cilat ishin miratuar nga ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Valentin Inzko.

Sipas dekretit, ndryshimet të cilat penalizojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera, nuk do të jenë të vlefshme në entitetin e Republika Sërpskës duke filluar nga 13 tetori.

Në fund të muajit korrik, Inzko bëri ndryshime në kodin penal të cilat penalizojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të dënuara në gjykatat vendase dhe ndërkombëtare.

Shkelja e këtij ligji dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet.

Në dekretin e Cvijanoviq thuhet se vendimi i Përfaqësuesit të Lartë nuk do të zbatohet në territorin e Republika Sërpskës dhe se autoritetet kompetente nuk do të bashkëpunojnë me ato në nivel Bosnje dhe Hercegovinës për zbatimin e tij.

Më 30 korrik, Asambleja Kombëtare e Republika Sërpskës kishte miratuar me procedurë urgjente, Ligjin për Moszbatimin e Vendimit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) Valentin Inzko mbi Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit.

Posti i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, me statusin e misionit diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuar në pajtim me kornizën e Marrëveshjes së paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, që njihet si Marrëveshja e Dejtonit, që është arritur më 21 nëntor, 1995, në bazën ushtarake në Dejton të Shteteve të Bashkuar.

Përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë ka autoritetin për “interpretimin final” të Marrëveshjes për zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Dejtonit.

Pas atij vendimi, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik pati thënë se Republika Sërpska "duhet të fillojë procesin e shpërbërjes".

Që nga 28 korriku, kur hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnje e Hercegovinës (BeH) që ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, të vendosura nga ish-përfaqësuesi i lartë, Valentin Inzko, Prokuroria në Bosnje ka iniciuar 22 raste me akuza për këto krime.

Çfarë thonë ekspertët ligjorë

Eksperti i së drejtës kushtetuese Nedim Ademoviq i tha Radios Evropa e Lirë se Republika Sërpska, si një entitet, nuk ka asnjë autoritet për të ndërhyrë në aktet e Përfaqësuesit të Lartë të miratuar sipas Aneksit 10 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

“Pra ‘Lex Inzko’ mbetet në fuqi. E vetmja rrugë ligjore e mundshme për të sfiduar ligjin e Përfaqësuesit të Lartë është Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës", tha Ademoviq, sipas të cilit incidente të tilla shkaktojnë pasiguri juridike në shtet sepse miratohen ligje që janë në kundërshtim me njëri -tjetrin.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se deri të martën (13 tetor) nuk kishte arritur asnjë ankesë në lidhje me dekretin e publikuar mbi shpalljen e dy ligjeve në Republika Sërpska.