Jepen mbi 6 miliardë doza të vaksinës anti-COVID
Foto: AFP

Jepen mbi 6 miliardë doza të vaksinës anti-COVID

Bota September 22, 2021 - 16:55

Më shumë se gjashtë miliardë doza të vaksinave kundër Covid-19 janë dhënë në të gjithë botën, sipas një raporti të AFP-s të publikuar të mërkurën bazuar në burimet zyrtare.

Vaksinimi ka arritur një ritëm të qëndrueshëm i cili për 29 ditë ka arritur miliardin e gjashtë, pothuajse e njëjta shpejtësi si miliardi i katërt dhe i pesti në 30 dhe 26 ditë, respektivisht, raporton AFP.

Për dallim nga këto miliardat e fundit, u deshën rreth 140 ditë për të administruar dozat e miliardit të parë.

Gati 40 për qind (2.18 miliardë) nga gjashtë miliardë vaksinimet janë administruar në Kinë. India (826.5 milionë) dhe Shtetet e Bashkuara (386.8 milionë) plotësojnë treshen e vendeve që kanë dhënë më së shumti vaksina, transmeton Zeri.info.

Ndër vendet me popullsi prej mbi një milion, Emiratet e Bashkuara Arabe kryesojnë me 198 doza për 100 banorë, me më shumë se 81 për qind të popullsisë së saj të vaksinuar plotësisht.

Uruguai vjen më pas me 175 doza për 100 banorë, e ndjekur nga Izraeli (171), Kuba (163), Katari (162) dhe Portugalia (154).

Disa nga këto vende, përfshirë Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uruguain, kanë filluar të japin doza nxitëse për të zgjeruar imunitetin tek të gjithë të vaksinuarit.

Ndërsa vendet në Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe disa nga Lindja e Mesme që kanë shpejtësinë më të mirë të vaksinimeve kanë filluar të ngadalësohen, vende tjera në Azi, Amerikën Latine dhe Oqeani kanë marrë kryesimin tani dhe po ecin me shpejtësi të madhe.

Ndonëse shumica e vendeve më të varfra kanë filluar vaksinimin vetëm tani, kryesisht falë skemës “Covax”, mbulimi mbetet shumë i dobët, megjithëse injeksionet janë shtuar javët e fundit pas donacioneve nga vendet më të pasura.

Siç përcaktohet nga Banka Botërore, vendet me të ardhura të larta administronin mesatarisht 124 doza për 100 banorë krahasuar me vetëm katër doza për 100 banorë në vendet me të ardhura të ulëta.

Tre vende ende nuk kanë filluar vaksinimin fare - Burundi, Eritrea dhe Koreja e Veriut. /Zëri