BB-ja ndalon publikimin e raportit “Doing Business” pas gjetjes së parregullsive në renditje
Foto: The New York Times

BB-ja ndalon publikimin e raportit “Doing Business” pas gjetjes së parregullsive në renditje

Bota September 16, 2021 - 19:09

Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Kristalina Georgieva, është përmendur të enjten se ka ushtruar presion, kur ajo ishte në Bankën Botërore, për të rritur pozicionin e Kinës në renditjen e ekonomive.

Georgieva tha se i mohon këto gjetje.

Banka Botërore, në një hetim të raportit të saj “Të bërit biznes”, gjeti çështje aq serioze të etikës saqë vendosi të braktisë krejtësisht serinë e publikimeve, tha BB-ja të enjten përmes një deklarate, raporton “Bloomberg”.

Pozicioni i Kinës në raportin e vitit 2018, të publikuar në tetor 2017, duhej të ishte shtatë vende më i ulët – në Nr. 85 në vend që të mbetej në të 78-in – tha Banka Botërore në një raport rishikues të lëshuar në dhjetor të vitit të kaluar, transmeton Zeri.info.

“Ndryshimet në të dhënat e Kinës në raportin ‘Doing Business 2018’ duket se janë produkt i dy llojeve të presionit të ushtruar nga lidershipi i bankës mbi ekipin e ‘Doing Business’”, tha Banka Botërore në një raport të enjten.

Banka përmendi Georgievan, së bashku me një këshilltar, për “presion” për të “bërë ndryshime specifike në pikat e të dhënave të Kinës në një përpjekje për të rritur renditjen e saj pikërisht në kohën e njëjtë kur vendi pritej të luante një rol kyç në fushatën e rritjes së kapitalit të bankës”.

Georgieva shërbeu si shefe ekzekutive e Bankës Botërore para se të zgjidhej për të pasuar Christine Lagarden si shefe e FMN-së, partnere e huadhënësit të zhvillimit në sistemin “Bretton Woods”.

“Nuk pajtohem thelbësisht me gjetjet dhe interpretimet e Hetimit të Parregullsive të të Dhënave, pasi lidhet me rolin tim në raportin ‘Doing Business’ të Bankës Botërore të vitit 2018”, tha Georgieva në një deklaratë. “Tashmë kam pasur një raportim fillestar para Bordit Ekzekutiv të FMN-së për këtë çështje”.

Integriteti i renditjes së raportit “Doing Business” ka qenë burimi i debatit të nxehtë vitet e fundit. Paul Romer u largua në vitin 2018 si kryeekonomisti i Bankës Botërore pasi vuri në dyshim ndryshimet në renditjen e Kilit në raportin e “Doing Business”.

Kujtojmë se Kosova, në raportin e vitit 2020 “Doing Business” ishte renditur e 57-ta nga 190 ekonomi botërore për lehtësira në të bërit biznes. /Zëri