Kroacia shënon përvjetorin e “Stuhisë”, kryeministri Plenkoviq i dërgon porosi Serbisë
Foto: Cropix

Kroacia shënon përvjetorin e “Stuhisë”, kryeministri Plenkoviq i dërgon porosi Serbisë

Bota August 05, 2021 - 11:19

Kroacia sot shënon përvjetorin e 26-të të operacionit ushtarak, i koduar me emrin “Stuhia”, me anë të të cilit Kroacia rivendosi kontrollin ndaj tërësisë territoriale të saj në luftë kundër Serbisë.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, në fjalimin e tij në ceremoninë e organizuar për të shënuar këtë përvjetor në qytetin e Kninit tha se Kroacia ia doli të krijonte një forcë ushtarake, që mposhti politikat kriminale të regjimit të Slobodan Milosheviqit.

“Ua uroj të gjithëve nga zemra Ditën e Fitores dhe të Falënderimeve të Atdheut, si dhe Ditën e Veteranëve. Është gjithmonë një ndjenjë e veçantë të vish në Knin në këtë ditë, sepse është një mundësi për të kujtuar ditën e krenarisë dhe të fitores, por edhe një shprehje e mirënjohjes së qëndrueshme për të gjithë ata që dhanë jetën që Kroacia të jetë e lirë. Ne arritëm të krijonim një forcë ushtarake të respektuar, që mundi politikat kriminale të regjimit të Milosheviqit, duke i dhënë fund kështu luftës dhe duke vendosur paqen. Ne e paguam këtë me jetën e bijve më trima kroatë, të cilëve u jemi mirënjohës përgjithmonë, si dhe pjesëtarëve të pakicave të shumta që gjithashtu mbrojtën Kroacinë”, tha kryeministri kroat, raporton Zeri.info.

Ndër të tjera, Plenkoviqi pati një porosi edhe për Serbinë.

“Gjithmonë do ta festojmë ‘Stuhinë’ me dinjitet, në mënyrë që brezat e ardhshëm të ushqejnë traditën e Luftës Atdhetare. Ne udhëhiqemi nga një politikë e pajtimit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit, duke respektuar të vërtetën historike dhe duke shprehur nderim për të gjitha viktimat. Kjo nuk do të thotë se ne do të lejojmë dikë që të vërë në dyshim legjitimitetin e ‘Stuhisë’. Ky është mesazhi për Serbinë, e cila do të duhet të braktisë politikën e kotë të së kaluarës dhe të kthehet në politikën e pajtimit. Fitimi i betejës së ‘Stuhisë’ është themeli për lirinë që ne gëzojmë sot”, tha Plenkoviqi.

Gjatë operacionit “Stuhia” janë vrarë 2.500 serbë, ndërsa rreth 200 mijë të tjerë janë dëbuar nga territoret e Kroacisë. Për Serbinë kjo ditë është ditë zie. /Zëri