Djali tjetër i Bidenit kritikëve të artit të tij: Pirdhuni
Foto: Getty Images

Djali tjetër i Bidenit kritikëve të artit të tij: Pirdhuni

Bota July 30, 2021 - 20:49

Një galeri arti në New York City po i ekspozon mbi 10 vepra arti nga i biri i presidentit amerikan, e cilat po vlerësohen mes 75,000 deri në 500,000 dollarë. Vlera e çmimit për një artist të tillë të paprovuar është shumë e pazakontë dhe ka ngritur shqetësimet për mundësinë që dikush të blejë artin si një mënyrë për të favorizuar familjen e parë.

I pyetur nga nikoqirët e “Nota Bene”, një “podcast” i përkushtuar për mbulimin e ngjarjeve të botës së artit, për t’iu përgjigjur njerëzve që e akuzojnë se e ka përdorur artin për të pasuruar në mënyrë të pahijshme veten dhe familjen e tij, Hunter Biden tha: “Përveç se pirdhuni?”, raporton “Politico”.

“Nëse do të hartoja një plan, sigurisht që nuk do të ishte ky që të bëja piktura”, tha Bideni, duke pasur parasysh sa personale janë për të veprat e tij të artit, transmeton Zeri.info.

“Unë thjesht do të mund të qëndroja në studion time dhe të pikturoja për veten time – dhe në fund të fundit këtë e bëj – por është disi emocionuese të dish se ka një audiencë, dhe që ajo audiencë të jetë në gjendje të ketë interpretimin e vet se çfarë do të thotë ajo pikturë për ta”, tha më tej ai.

Disa kritikë të artit kohët e fundit i thanë “West Wing Playbook” se vlera e artit është e lidhur pazgjidhshmërisht me mbiemrin e Bidenit më të ri, një pikë që Hunter Biden thotë se nuk e kundërshton.

“Ka qenë përparësia e padrejtë e gjithë jetës sime”, tha ai në episodin e lëshuar të enjten. “Është shumë më lehtë të vërehesh, jo vetëm nga polici që të ndalon për shpejtësinë me veturë, por edhe nga shkolla ose çfarëdo rasti tjetër që mund të jetë”.

Ai tha se fama e keqe i është shtuar vetëm nga vëmendja e krijuar nga periudha e njohur me abuzimin e substancave narkotike dhe raportet e tij afariste që tërhoqën vëmendjen nga mediat konservatore gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020.

“Mendoj se jam artisti më i famshëm në botën MAGA”, bëri shaka Bideni.

Administrata e Bidenit ka punuar për të qetësuar frikën se ekspozita e artit rrezikon ndikimin e tepërt politik dhe tha se ka një marrëveshje me Galerinë “George Bergès” për të mbrojtur identitetin e blerësit nga presidenti dhe djali i tij, sikurse edhe nga Shtëpia e Bardhë dhe publiku i gjerë.

Nga ana e tij, Bideni më i ri tha se ai nuk kishte gisht në përcaktimin e vlerës së artit të tij dhe vuri në dukje se tregu mund të jetë “plotësisht subjektiv dhe plotësisht arbitrar me raste, dhe ndonjëherë nuk ka të bëjë me asgjë të momentit”.

“Unë kurrë nuk kam thënë se arti im do të kushtojë aq sa do të kushtojë, ose se çfarë çmimi do t’i vihet. Do të isha i mahnitur nëse arti im do të shitej për 10 dollarë”.

Hunter Biden, i cili ka këmbëngulur se nuk është diletant, gjithashtu pranoi se ndërsa emri i familjes së tij mund t’i japë atij mundësi, ka edhe një kufi.

“Nëse nuk i dini limitet, mund të jetë me të vërtetë, me të vërtetë një përvojë e tmerrshme”, tha ai. “Kështu që unë nuk e bëj këtë me lehtësi, dhe nuk e bëj pa dijeninë se ka kaq shumë artistë të jashtëzakonshëm që kurrë nuk kanë mundësinë të gjejnë një galeri ose të ndajnë artin e tyre me botën më të gjerë”. /Zëri