Anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën “vijë të kuqe” për Rusinë

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën “vijë të kuqe” për Rusinë

Bota June 17, 2021 - 13:44

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën “vijë të kuqe” për Rusinë, ka thënë Kremlini më 17 qershor, një ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin kanë mbajtur samitin e parë në Gjenevë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia është e shqetësuar nga bisedimet se Kievit një ditë mund t’i sigurohet një Plan për Anëtarësim, i cili njëherësh është hapi i parë për anëtarësim në aleancën veriatlantike.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë më 14 qershor se ai ka kërkuar përgjigje të qartë “po” ose “jo” nga Bideni sa i përket planit për anëtarësim të Ukrainës në NATO.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2.5 miliardë dollarë si ndihmë për sigurinë në Ukrainë nga viti 2014, kur Rusia ka aneksuar paligjshëm Gadishullim e Krimesë dhe ka mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës, duke nxitur dhunë, e cila ka lënë mbi 13,000 persona të vdekur.

Mirëpo Biden ka thënë se Kievi duhet të luftojë korrupsionin dhe të përmbushë kritere tjera para se të anëtarësohet në NATO.

Peskov ka thënë se Moska është duke ndjekur me kujdes përpjekjet e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO.

“Kjo është diçka që ne po ndjekim me vëmendje dhe përbën vijë të kuqe për ne - kur flasim për synimin e Ukrainës për anëtarësim në NATO”, ka thënë Peskov për Radion Ekho Moskvy.

Tensionet në mes të Ukrainës dhe Rusisë janë rritur në muajt e fundit, pasi të dyja shtetet fajësojnë njëra-tjetrën për rritje të luftimeve në lindje të Ukrainës dhe bllokim të bisedimeve për paqe në mes të Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Kremlini.

Muaj më parë, Rusia pati pozicionuar 100,000 trupa në kufirin e saj perëndimor me Ukrainën dhe në Krime, hap që është dënuar nga Perëdimi.

Ndonëse Rusia më vonë ka thënë se ka tërhequr trupat, Uashingtoni dhe Ukraina besojnë se tërheqja nuk është e plotë./rel