Frika e punonjësve afganë: “Talibanët do të na vrasin”

Frika e punonjësve afganë: “Talibanët do të na vrasin”

Bota June 17, 2021 - 08:06

Talibanët, me vite, janë zotuar se do të vrasin çdo afgan që ka punuar për forcat e SHBA-së dhe të NATO-s në Afganistan.

Militantët i cilësojnë ata si “tradhtarë”.

Tani që trupat e huaja pritet të largohen nga Afganistani deri në shtator, dhjetëra mijëra afganë që kanë punuar në role mbështetëse, janë mbërthyer nga frika dhe paniku.

Shqetësimet e tyre janë të bazuara mirë. Talibanët, gjatë viteve, kanë vrarë qindra afganë, të cilët kanë punuar për forcat e huaja ushtarake, dhe familjarë të tyre.

Frika është rritur nga intensifikimi i dhunës dhe fitoret e talibanëve në fushëbetejë, muajve të fundit.

Që nga fillimi i tërheqjes së forcave të huaja më 1 maj, grupi militant ka marrë kontrollin e dhjetëra qarqeve, bazave ushtarake dhe qyteteve, duke nxitur frikën se mund ta rrëzojë edhe Qeverinë afgane, të mbështetur nga Perëndimi.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera që janë duke i tërhequr trupat nga Afganistani, kanë krijuar programe të posaçme të imigracionit, për t’i ndihmuar punëtorët e rrezikuar afganë, që të largohen nga Afganistani.

Por, shumë afganë që kanë aplikuar, ankohen se janë lënë në vendin e askujt, pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje - ndonjëherë edhe me vite - nga autoritetet e huaja të imigracionit.

Grupet e avokatisë thonë se programet po zhvillohen shumë ngadalë dhe se mund të mos mbulojnë të gjithë ish-punonjësit afganë, që mund të jenë në rrezik.

Rreth 300,000 civilë afganë kanë punuar për forcat ndërkombëtare që nga pushtimi i Afganistanit, në vitin 2001. Ata kanë punuar si kuzhinierë, pastrues, mekanikë, përkthyes e roje sigurie.

“Rrezik i madh”

“Jemi në rrezik të madh”, thotë Abdul Wakil, i cili ka punuar si roje sigurie nga viti 2004 deri më 2008 në Bagram - bazën më të madhe të ushtrisë amerikane në Afganistan.

“Jo vetëm ne, por edhe familjet tona. Talibanët do të na vrasin”, thotë ai.

“Pas largimit të trupave të huaja, talibanët mund të marrin përsëri kontrollin e vendit. Në atë rast, të gjithë do të ishin në rrezik, por sidomos ne”, shprehet Wakil.

Rreth 300 afganë që kanë punuar për ushtrinë amerikane ose familjarë të tyre janë vrarë që nga viti 2016. Këto janë të dhëna të organizatës joqeveritare amerikane “No One Left Behind”, e cila punon me përkthyesit afganë, për t'i ndihmuar ata që të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara.

Grupi vlerëson se, mesatarisht, dy përkthyes në muaj janë vrarë këtë vit. Numri i të vdekurve është rritur në pesë gjatë muajit maj.

Përkthyesit afganë që punojnë për forcat e huaja, janë veçanërisht të cenueshëm ndaj sulmeve militante. Ata shpesh kërkohen nga militantët, të cilët i cilësojnë si “spiunë”, që veprojnë si sy dhe veshë për “pushtuesit” e huaj.

Më 7 qershor, talibanët kanë lëshuar një deklaratë, duke i siguruar afganët që kanë punuar me trupat ndërkombëtare në të kaluarën, se nuk do të jenë në shënjestër nëse “shprehin pendim për veprimet e tyre të kaluara dhe nuk përfshihen në aktivitete të tilla në të ardhmen, të cilat përbëjnë tradhti ndaj Islamit dhe vendit”.

Ndaj këtyre garancive, megjithatë, ka mosbesim të madh.

“Talibanët po forcohen çdo ditë”, thotë Abdul Karim, një përkthyes 28-vjeçar, i cili ka punuar për ushtrinë amerikane që nga viti 2015. “Kjo do të thotë se jeta jonë po rrezikohet çdo ditë e më shumë”, shton ai.

Grupi militant, prej kohësh, i ka vënë në shënjestër civilët, që i akuzon se kanë punuar për Qeverinë afgane ose për të huajt.

Në muajin janar, talibanët kanë vrarë një afgan, që ka punuar për ushtrinë amerikane për rreth 12 vjet dhe ka qenë në pritje të një vize për t'u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

Ish-përkthyes të tjerë afganë thonë se ata kanë marrë kërcënime me vdekje nga talibanët.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU