Tensionet Izrael-Palestinë, 30 persona të vrarë

Tensionet Izrael-Palestinë, 30 persona të vrarë

Bota May 11, 2021 - 22:30

Vijojnë shkëmbimet e zjarrit mes militantëve palestinezë dhe ushtrisë izraelite, ndërsa të paktën 30 persona kanë mbetur të vrarë në Gaza dhe Izrael.

Militantët kanë lëshuar më shumë se 400 raketa në drejtim të Izraelit, që prej mbrëmjes së të hënës, duke vrarë dy persona.

Ndërkaq, Izraeli deklaroi se është kundërpërgjigjur duke goditur 150 shënjestra në Gaza. Autoritetet konfirmojnë se 28 palestinezë kanë mbetur të vrarë.

Komuniteti ndërkombëtar ka nxitur të dy palët t’i japin fund përshkallëzimit të tensioneve, që vijnë pas ditëve të tëra trazirash në Jerusalem.

Grupi militant i Hamasit, që kontrollon Gazën, deklaroi se po vepron në mbrojtje të xhamisë alAksa nga “agresioni dhe terrorizmi” izraelit, pasi kjo pikë, që është e shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, u përfshi nga përleshje mes policisë së Izraelit dhe Palestinës, ku qindra persona u plagosën. /euronewsal