Turqia dënon sulmet e forcave izraelite ndaj palestinezëve në xhaminë Al-Aksa

Turqia dënon sulmet e forcave izraelite ndaj palestinezëve në xhaminë Al-Aksa

Bota May 08, 2021 - 13:59

Ministria e Jashtme e Turqisë ka dënuar sulmet e forcave izraelite të sigurisë kundër palestinezëve që faleshin në xhamin Al-Aksa, e që la të plagosur shumë civilë palestinezë.

Përmes një reagimi, MPJ-ja turke i ka bërë thirrje qeverisë izraelite që t’i japë fund “politikave të saj agresive”.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite, e cila shkaktoi incidentet e kësaj mbrëmjeje duke synuar lirinë e adhurimit të popullit palestinez dhe statusin e al-Haram al-Sharif gjatë muajit të Ramazanit, që t’i japë fund politikave të saj agresive dhe provokuese dhe të veprojë me mendje te shëndoshë”, thuhet në reagimin turk.

Turqia tha se do të vazhdojë të mbështesë “kauzën e drejtë të popullit palestinez”.

“Sot, hapat që mund të ndërmerren në forumet ndërkombëtare u diskutuan me Ministrin e Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad al-Malki, i cili po viziton vendin tonë me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu dhe Turqia do të vazhdojë të mbështesë kauzën e drejtë të popullit palestinez”, u tha nga MPJ-ja turke.

Besimtarë palestinezë u përleshën me policinë izraelite mbrëmjen e së premtes në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, duke përshkallëzuar dhunën që zgjat prej disa javësh në Jerusalem.

Pala palestineze bëri të ditur se 53 persona mbetën të plagosur, 23 prej të cilëve u dërguan në spital.

Shumë prej të lënduarve morën dëmtime në fytyrë dhe në sy për shkak të plumbave të gomës dhe granatave trullosëse. Nga pala izraelite mbetën të plagosur 6 policë.

Më herët, trupat izraelite të sigurisë vranë dy palestinezë dhe plagosën një të tretë, pasi një prej tyre hapi zjarr ndaj një baze ku strehoheshin agjentë të policisë kufitare izraelite në Bregun Perëndimor. /Zëri