Infektuar: 106538
Shëruar: 98223
Vdekur: 2213
Në Mal të Zi nis imunizimi masiv kundër COVID-19 me vaksinat kineze
Foto: EPA

Në Mal të Zi nis imunizimi masiv kundër COVID-19 me vaksinat kineze

Bota May 04, 2021 - 11:38

Në të gjitha qytetet e Malit të Zi sot ka filluar vaksinimi masiv në 140 qendra vaksinimi.

Kjo u bë e mundur pas arritjes gjatë vikendit të 200.000 dozave të vaksinës kineze “Sinopharm”, kurse gjatë ditës do të vijë edhe sasia e parë e vaksinave “BioNTech/Pfizer”, donacion nga BE-ja.

Siç ka njoftuar qeveria malazeze, qytetarët mund të zgjedhin mes vaksinave që në atë moment janë të qasshme, kurse për personat që janë të prekur nga sëmundje kronike llojin e vaksinës do ta propozojë mjeku i zgjedhur, raporton Zeri.info.

Vaksinimi masiv i popullsisë ka nisur edhe Ulqin e Tuz.

Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Sadije Hollaj, tha dje se vaksinimi do të zhvillohet çdo ditë në objektin e Stacionit të autobusëve duke filluar nga ora 8 deri në ora 20.

“Qytetarët të cilët vaksinohen për herë të parë nuk kanë nevojë të regjistrohen te mjeku i zgjedhur, por të vijnë dhe të sjellin me vete një dokument identifikues. Po ashtu prej nesër do të rivaksinohen qytetarët që janë vaksinuar më parë me vaksinën ‘Astra Zeneca’”, tha dje Hollaj.

Ajo i ftoi qytetarët që të vaksinohen në masë sa më të madhe sepse, siç u shpreh ajo, kjo është e vetmja mënyrë që të dalim nga kjo situatë pandemike.

Në Tuz, në Shtëpinë e Shëndetin do të jenë dy pika për vaksinim masiv, të cilat poashtu do të punojnë prej orës 8 deri në ora 20, kurse në Plavë do të jenë 4 pika vaksinimi, në shkollën e mesme, ndërsa në Rozhajë 3 pika vaksinimi, në shkollën fillore të këtij qyteti.

Deri tani në Mal të Zi me një dozë janë vaksinuar 40.000 persona apo pothuajse shtatë për qind e popullsisë, kurse gjysma e tyre kanë marrë dy dozat. /Zëri