Infektuar: 106914
Shëruar: 99628
Vdekur: 2225
Rrezik për tensione në Mal të Zi

Rrezik për tensione në Mal të Zi

Bota May 03, 2021 - 13:03

Tensionet e muajve të fundit në Mal të Zi mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme, ndërsa incidentet me motive politike dhe nacionaliste janë thellësisht shqetësuese, thotë Kurt Bassuener, nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit.

Judy Dempsey, nga Qendra Carnegie Europe, thotë se tensionet dhe incidentet aktuale në Mal të Zi mund ta kthejnë këtë vend prapa në rrugën kah Bashkimi Evropian, gjë të cilën Rusia, “përmes strukturës qeverisëse në Mal të Zi, do ta shfrytëzojë”.

Tensionet në Mal të Zi janë intensifikuar qysh nga koha e zgjedhjeve parlamentare të gushtit, me të cilat, pas tri dekadash, është ndërruar edhe pushteti.

Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partitë promalazeze i ka zëvendësuar një koalicion i udhëhequr nga Fronti Demokratik proserb, në përbërje të të cilit janë edhe Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.

Pakicat kanë qenë dhe mbeten me DPS-në për vite me radhë.

Tani, problemi ekziston edhe midis shumicës që kontrollon qeverinë e parlamentin dhe presidentit të shtetit, Millo Gjukanoviq, i cili është edhe udhëheqës i DPS-së.

Tensionet e rritura midis mbështetësve të opozitës pro-malazeze, të udhëhequr nga DPS-ja, dhe mbështetësve të Frontit Demokratik pro-serb kanë rezultuar vazhdimisht me konflikte, sulme ndaj ndërtesave fetare, mesazhe kërcënuese për pakicat, protesta dhe sulme ndaj gazetarëve.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë përgjegjësi ndaj Malit të Zi

Dempsey thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare, sidomos NATO-ja, duhet të jetë më aktive me apelet, duke vënë në dukje se sa i nevojshëm është stabiliteti në Mal të Zi.

“Nuk ka kohë për indiferencën e NATO-s ose të Bashkimit Evropian. Duhet të përfshihen në mënyrë aktive. Ajo që po ndodh në Mal të Zi, mund të përhapet edhe në pjesën tjetër të rajonit. Rusia dhe Kina do të përfitonin dhe do ta inkurajonin këtë zhvillim”.

“Duke pasur parasysh historinë e ndërhyrjes ruse në rajon, një nga qëllimet e saj është të krijojë tensione etnike dhe fetare. Kur ato të përshkallëzohen, është vështirë të frenohen. Ky është një rrezik i madh”, thotë Dempsey.

Sipas saj, kjo do të nënkuptonte rrëfime të hapura për situata potencialisht të rrezikshme.

Dempsey thotë se të dyja organizatat, NATO-ja dhe BE-ja, duhet të emërojnë të dërguar të posaçëm në Mal të Zi, të cilët do të ndërmjetësonin.

Bassuener konsideron se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë përgjegjësi për të ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve dhe incidenteve në Mal të Zi.

Ai thotë se askujt nuk i duhen më konflikte në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Dempseyt, BE-ja nuk është veçanërisht e mirë në menaxhimin e krizave.

“BE, nëse është serioze në lidhje me integrimin e Malit të Zi, duhet të jetë më e zëshme dhe më praktike. Duhet të investojë në infrastrukturë, në arsim, në media. Mbi të gjitha, duhet të inkurajohet shoqëria civile në nivel lokal”.

“Rusia do të vazhdojë t’i përdorë strukturat aktuale politike për të devijuar rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Sa i përket NATO-s, ajo duhet të jetë më aktive në terren, përmes stërvitjeve, komunikimit dhe përfshirjes më të afërt në institucione dhe shoqëri civile”, thotë Dempsey.

Cilat janë shkaqet e ndryshimeve që kanë rezultuar në tensione?

Bassuener thotë se pakënaqësia e qytetarëve malazezë me ndjenjën e padrejtësisë shoqërore dhe me korrupsionin e përhapur ka rezultuar me humbjen zgjedhore të koalicionit pro-perëndimor, të udhëhequr nga DPS-ja e Gjukanoviqit, në gusht të vitit 2020.

Ai thotë se Qeveria malazeze, e udhëhequr nga DPS-ja, ka ngecur politikisht për vite me radhë.

“Qytetarët e pakënaqur kanë protestuar, kanë tërhequr vëmendjen për mangësitë e sistemit, që, në një anë, kanë çuar edhe në ndryshimin e pushtetit. Në anën tjetër, mendoj se ata që kanë dashur ndryshimin e pushtetit, kanë nënvlerësuar anën e mundshme negative, përkatësisht sa shpejt mund të zhvendoset fokusi politik, dhe gjërat kanë shkuar në një drejtim të papritur dhe të padëshirueshëm”, thotë Bassuener.

Sipas tij, edhe pse është dukur se shumica e qytetarëve në Mal të Zi e mbështesin shtetësinë malazeze, identitetin dhe multietnicitetin, gjërat e tilla nuk janë ende të rrënjosura ashtu siç kanë besuar vëzhguesit vendas dhe të huaj.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU