Italia lehtëson masat, kryeministri Draghi prezanton planin e ri, në fuqi nga 26 prilli

Italia lehtëson masat, kryeministri Draghi prezanton planin e ri, në fuqi nga 26 prilli

Bota April 17, 2021 - 09:29

Italia do të zbusë kufizimet e coronavirusit në shumë rajone të vendit nga 26 prilli, bëri të ditur ditën e premte kryeministri Mario Draghi, i cili ka ndryshuar planin që parashikonte lehtësimin e masave në një periudhë të mëvonshme.

Në një konferencë për shtyp, Draghi njoftoi se në zonat ku niveli i rrezikut është me ngjyrë të verdhë restorantet do të mund të hapin ambientet e jashtme për oraret e drekës dhe darkës dhe nuk do t’u duhet të mbyllen në 6 të pasdites, sikurse ndodhte më parë.

Kreu i qeverisë italiane shtoi se, në zonat me nivel rreziku të verdhë dhe portokalli do të hapen tërësisht shkollat, me nxënësit që do të mund të kthehen në klasa.

“Ky rrezik që qeveria ka marrë përsipër, që me siguri përmbush pritshmëritë e qytetarëve, bazohet në një premisë: që njerëzit të respektojnë rregullat e rihapjes. Ne po rrisim ndërgjegjësimin e autoriteteve rajonale dhe lokale, si dhe të forcave të policisë, për të garantuar që rregullat të respektohen. Në këtë mënyrë, rreziku që po marrim përsipër do të kthehet në një shans të jashtëzakonshëm, jo vetëm për ekonominë, por dhe jetën sociale”, u shpreh Mario Draghi, kryeministër i Italisë.

Kufizimet e ashpra në Itali shkaktuan më herët gjatë muajit protesta të pronarëve të bareve dhe restoranteve, që kërkonin rihapjen me argumentin se kriza po i çonte drejt falimentimit./Euronews.al